Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping, të dy 72 vjeç, diskutuan për pavdekësinë dhe një jetëgjatësi prej të paktën 150 vjetësh, pa e ditur se biseda po regjistrohej nga një kamera sigurie para fillimit të një parade të madhe në Pekin, raportoi sot Politico.

Të dy udhëheqësit thuhet se diskutuan mundësinë e pavdekësisë përmes transplanteve të organeve dhe procedurave të avancuara mjekësore.

“Në të kaluarën, njerëzit rrallë jetonin deri në 70 vjeç, por sot në moshën 70 vjeç je ende fëmijë”, i tha Xi Putinit nëpërmjet një përkthyesi.

Putini u përgjigj se organet njerëzore, me zhvillimin e bioteknologjisë, mund të transplantohen vazhdimisht dhe njerëzit mund të ripërtërijnë veten, “dhe madje të arrijnë pavdekësinë”.

“Parashikimet janë se në këtë shekull ka një shans për të jetuar deri në 150 vjet”, shtoi Xi.

Kina ka një histori të gjatë të marrjes së organeve nga të burgosurit e ekzekutuar, gjë që u ndalua zyrtarisht në vitin 2015, por kjo nuk e ka frenuar praktikën pasi qeveria u drejtohet pakicave për organe, përfshirë ujgurët që po përballen me gjenocid në pjesën perëndimore të vendit, shtoi Politico.

Vitin e kaluar, gazeta The Times e Londrës raportoi se zyrtarët e Kremlinit u kishin udhëzuar shkencëtarëve të përshpejtonin kërkimet kundër plakjes, duke u përqendruar në degjenerimin qelizor, rënien njohëse dhe forcimin e sistemit imunitar.

Në Pekin, Xi priti 26 udhëheqës botërorë, përfshirë Putinin dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, për një paradë të madhe ushtarake që shënoi 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Mgid