Universiteti i Tetovës sot priti një delegacion nga Northern Illinois University (NIU), i cili realizoi një vizitë zyrtare në Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor. Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimit të urave me institucione prestigjioze të arsimit të lartë.
Delegacioni u prit nga drejtoresha e Qendrës, Mr. Sc. Donika Kamberi, e cila prezantoi një pasqyrë të gjerë të veprimtarisë dhjetëvjeçare të Qendrës, duke përfshirë: zhvillimin e projekteve kërkimore të fokusuara në çështjet e paqes dhe komunikimit ndërkulturor; botimin e punimeve shkencore dhe librave që trajtojnë tematika të ndërlidhura me studimet për paqe dhe dialogun ndërkulturor; organizimin e konferencave, forumeve dhe tryezave shkencore; si dhe aktivitetet e shumta të bashkëpunimit akademik me institucione universitare dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e rolit të Qendrës si promotor i dialogut, respektit dhe mirëkuptimit reciprok.
Gjatë diskutimeve, palët ndanë përvoja dhe praktika të mira në fushën e studimeve për paqe dhe komunikim ndërkulturor, si dhe shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta akademike e kërkimore, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe organizimin e projekteve e konferencave të përbashkëta.
Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me universitete nga e gjithë bota, duke e parë arsimin dhe shkencën si mjete themelore për kultivimin e paqes, mirëkuptimit dhe dialogut ndërkulturor.

Mgid