Ramadani: Koordinatori për Media nuk mund të shndërrohet në megafon kundër Shqipërisë- Kush ofendon Shqipërinë, nuk përfaqëson as qytetarët as shtetin

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka reaguar ndaj deklaratave të Koordinatorit Kombëtar për Komunikim dhe Media pranë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me etikën institucionale.
Ramadani thekson se mbajtja e këtij posti nuk është privilegj personal për propagandë politike, por një përgjegjësi institucionale që kërkon përmbajtje, integritet dhe respekt ndaj standardeve të komunikimit shtetëror.
“Ky rol nuk i jep askujt të drejtën të shndërrohet në megafon ofendues ndaj Shqipërisë, një vend mik dhe partner strategjik, apo ndaj cilitdo shtet tjetër,”
Ai shton se deklaratat denigruese të përfaqësuesit të qeverisë ndaj Tiranës zyrtare, që rezonojnë me narrativat e deformuara të “botës serbe” dhe retorikës përçarëse të VMRO-së, përbëjnë një shkelje flagrante të etikës institucionale dhe hedhin hije të rënda mbi orientimin e vërtetë politik të vetë qeverisë.
Ramadani përfundoi se funksionet shtetërore nuk janë podium për hakërrime personale provinciale, por platforma për ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, për bashkëpunim dhe për promovimin e vlerave demokratike.
“Kush i përdor për të kundërtën, nuk përfaqëson as qytetarin, as institucionin, por vetëm një axhendë personale jashtë çdo kornize shtetërore dhe europiane,” – shkruan ai.