Në Amfiteatrin “Abdylselam Emini” të Universitetit të Tetovës u mbajt prezantimi i softuerit profesional ProtaStructure Suite, një ndër platformat më të avancuara për projektim inxhinierik.
Në këtë aktivitet, të organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, dekani Prof. Dr. Enis Jakupi theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive moderne në procesin arsimor dhe në praktikën e projektimit.
Ndërkaq, Sergey Churilov, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, foli për rëndësinë shkencore të përdorimit të softuerit në ndërtimtari.
Prezantimin kryesor e mbajti inxhinieri i ndërtimit dhe menaxheri në Prota Software, Mustafa Tümer Tan nga Republika e Turqisë, i cili paraqiti në mënyrë të detajuar funksionalitetet e platformës dhe praktikat konkrete të zbatimit të saj në projektimin inxhinierik.
Ky softuer mundëson: analizë statike dhe sizmike të objekteve për kontrollin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë; analizë strukturore të materialeve si betoni i armuar, çeliku dhe druri; modelim dhe dimensionim të elementeve konstruktivë si dhe gjenerim të raporteve të llogaritjeve dhe vizatimeve ekzekutive gati për zbatim praktik.
Prezantimi ngjalli interes te studentët dhe stafi akademik, të cilët patën mundësi të ndjekin në mënyrë praktike procesin e modelimit, analizës dhe përgatitjes së një konstruksioni për zbatim.
Në diskutimet që pasuan, u dhanë ide për zhvillimin e bashkëpunimeve të ardhshme ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe përfaqësuesve të Prota Software.