Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj sulmit fizik ndaj një të riu shqiptar në qytetin e Manastirit, duke e cilësuar atë jo si një incident të izoluar, por si një sulm të mirëorganizuar me motive etnike, pas të cilit autorët jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por edhe mburren publikisht për veprimin e tyre.

“Ky nuk është një rast i zakonshëm. Është një akt i dhunës me prapavijë të qartë etnike dhe me qëllim frikësimi ndaj shqiptarëve. Për më tepër, grupi i tifozëve ‘Çkembari’ jo vetëm që nuk është distancuar, por përmes postimeve në rrjetet sociale kërcënon haptazi shqiptarët dhe komunitetet tjera në qytet”, ka deklaruar Sela.

Sipas tij, postimet e këtij grupi përmbajnë gjuhë të urrejtjes, thirrje nacionaliste dhe kërcënime për dhunë, duke shënjestruar shqiptarët dhe përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar – një simbol i garantuar me Kushtetutën e vendit.

“Kjo është një cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues, dhe përballë kësaj, institucionet e shtetit – Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria, por edhe zyrtarët shqiptarë në pushtet – vazhdojnë të heshtin”, deklaroi ai.

Sela i ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë menjëherë për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe aktet e dhunës, duke paralajmëruar se çdo tolerim ndaj këtyre dukurive është rrëshqitje drejt destabilizimit ndëretnik.

“Kush do t’i mbrojë qytetarët shqiptarë kur sulmet dhe kërcënimet ndodhin haptazi dhe në sy të shtetit?”, përfundon reagimi i tij.

Mgid