Në një mesazh të qartë dhe frymëzues, profesori universitar Ruzhdi Matoshi ka shprehur përkrahjen e tij për Emirin, kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), duke e cilësuar atë si njeriun e duhur që ndien ritmin e kohës dhe ka pulsin që i duhet Zhelinës për të hyrë me dinjitet në epokën e zhvillimit, njofton TS.
“Zhelina – porta e Tetovës për në Shkupin Dardan – është e domosdoshme për çdo vizion serioz. Ajo ka nevojë për zhvillim, për frymë, për përkushtim. Ka nevojë për njeriun që ndien ritmin e kohës,” – shkruan Matoshi.
Në shkrimin e tij, ai thekson se Zhelina nuk mund të presë më. Koha për ndryshim ka ardhur, dhe ky ndryshim duhet të vijë përmes projekteve konkrete dhe vizionit afatgjatë.
“Zhelina meriton zonë ekonomike që sjell investime të vërteta. Meriton infrastrukturë moderne – rrugë, qerdhe, sheshe, terene sportive, objekte shkollore e kulturore. Gjithçka që rrënjos krenarinë dhe ngjall frymëzim – që e bën këtë komunë të shkëlqejë si një mbretëreshë mes Tetovës dhe Shkupit Dardan,” – thuhet më tej.
Sipas Matoshit, Emiri është personi me puls, me vizion dhe me vendosmërinë për ta çuar Zhelinën aty ku i takon – në qendër të zhvillimit dhe dinjitetit kombëtar./TS