Shkruan: Rami Mislimi
Pas 25 vitesh më është rikthyer kujtimi i Sarajit si një ndër qendrat më të bukura në Shkup.
Si nxënës i shkollës fillore nga Strimnica, udhëtoja çdo të dielë drejt Sarajit, për t’u freskuar, për të shijuar, për t’u larë dhe për të përjetuar një copëz Perëndimi mes shqiptarëve në liqenin “Treska” në Saraj.
Në atë kohë nuk e dija se çfarë shije kishte deti. Nuk dalloja dot pishinën nga liqeni. Por e dija se vetëm Saraji ekzistonte për të kaluar të dielat me u knaq, me u lajë dhe mos me e harruar as sot, pas 25 vitesh.
Sot, përveç kujtimeve, më është rikthyer edhe shpresa e madhe se Liqeni i Treskës mund të kthehet në një nga qendrat më të bukura të rajonit, dhe Saraji të bëhet një komunë urbane, turistike dhe e vizituar nga qytetarët e Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit e më gjerë.
Sot duke ecur pranë liqenit të Treskës dhe duke parë bukuritë e Sarajit, e kam thirr njeriun që shpresojë fuqishëm për një ndryshim të hovshëm të Sarajit, Blerand Ramadanin.
Blerandi, përveç ëndrrës, dëshirës dhe vizionit për ta kthyer Sarajin në një komunë të fuqishme dhe turistike, kishte me vete edhe një krah dokumentesh, gati për ditën e tij të parë si kryetar i Sarajit. Ai është i vendosur që Liqenin e Treskës ta nxjerrë nga pluhuri i harresës dhe ta vendosë mbi tryezën e partnerëve vendorë e ndërkombëtarë për investime, që kjo qendër të shndërrohet në një nga më të bukurat e Shkupit.
Te Blerandi pashë guxim të madh, vullnet të jashtëzakonshëm, dëshirë të pashtershme dhe një vizion të qartë, që Saraji të ndryshojë, dhe Liqeni i Treskës të jetë në duart e njerëzve të zotë që do ta ndërtojnë dhe do ta shndërrojnë në një vend ku shqiptarët do të mblidhen për t’u argëtuar, për të kaluar të dielat, për të shëtitur, për t’u relaksuar dhe për të parë bukuritë që Zoti ia ka falë vetëm Sarajit.
Blerandi nuk fliste për parti, nuk fliste për ndarje, nuk merrej me ideologji politike. Ai kishte vetëm një “siklet”, ta bëjë SARAJIN qendrën e të gjithë shqiptarëve, një vend ku të bashkohen si vëllezër të gjithë, pa dallim partie apo bindjeje politike.
Ai nuk njeh të majtë apo të djathtë, AKI apo VLEN, BDI – ASH, BESA e Alternativa apo edhe LD, për Blerandin kishte vetëm një emërues të përbashkët: Saraji i BASHKUAR.
Të gjithë së bashku, për një qëllim të përbashkët: Saraji të bëhet qendra më e bukur dhe më e madhe shqiptare në Maqedoni.