Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se dje alarmuam për një skandal të paparë – një projekt prej 18 mijë eurosh është ndarë për Jehona Ajdinin, partnere e punonjësit të kabinetit të Izet Mexhitit.

Në vend që t’i hedhë poshtë dyshimet për ndikime partiake dhe familjare, vetë Jehona në reagimin e saj pranon se tri vite me radhë ka aplikuar pa sukses, ndërsa pikërisht tani, në kohën kur partneri i saj është pjesë e rrethit më të ngushtë të Mexhitit, ajo përfiton mjete nga buxheti i shtetit.

Kjo paraqet një tregues serioz se dyshimet për nepotizëm dhe ndikim politik janë të bazuara. Shtrohen pyetje thelbësore:

– A e kanë të rinjtë artistë shqiptarë pa përkrahje partiake të njëjtën mundësi?

– Pse regjisorë me përvojë shumëvjeçare dhe projekte serioze u refuzuan pa asnjë arsyetim, ndërkohë që partnerja e njeriut më të afërt të Mexhitit përfiton para pikërisht tani?

– A është shndërruar Agjencia e Filmit në filial privat të VLEN-it dhe elitave partiake?

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon:

1. Prokuroria menjëherë të hapë hetim për keqpërdorimet dhe ndikimet e mundshme mbi Agjencinë e Filmit.

2. Të publikohen të gjitha kriteret, pikëzimet dhe arsyetimet e komisionit për ndarjen e mjeteve.

3. Përgjegjësi nga të gjithë ata që e kanë shndërruar kulturën në pronë partiake të njerëzve të afërt me Izet Mexhitin.

Ky nuk është sulm ndaj artistëve të rinj, por mbrojtje e barazisë së mundësive, e profesionalizmit dhe e kulturës si vlerë që i takon të gjithë qytetarëve. BDI do të vazhdojë ta mbrojë kulturën nga keqpërdorimet partiake dhe kërkon që drejtësia të dalë në pah.

Mgid