Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me rrëzim të aeroplanëve ushtarakë të Venezuelës, nëse ata fluturojnë pranë anijeve amerikane në Karaibe, ndërsa presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se çdo agresion i SHBA-së do të çojë në luftë të armatosur.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me rrëzimin e çdo aeroplani luftarak të Venezuelës që fluturon mbi anije amerikane në Karaibe, ndërsa burime nga Washingtoni kanë njoftuar për mundësinë e sulmeve ushtarake ndaj objektivave në Venezuelë, raporton “BBC”.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është përgjigjur duke thënë se çdo agresion i SHBA-së do të çojë në një “luftë të armatosur të planifikuar dhe të organizuar nga i gjithë kombi” dhe ka njoftuar fillimin e trajnimit të një milicie që përfshin popullsinë civile.

“Ne do ta mbrojmë paqen, integritetin territorial, sovranitetin dhe popullin tonë”, ka thënë Maduro.

Në një fjalim televiziv, Maduro, ka treguar një diagram të niveleve të gatishmërisë së forcave mbrojtëse dhe ka shpjeguar se Venezuela është aktualisht “në fazën e verdhë të mbrojtjes së integruar”. Sipas tij, vendi është ende në fazën e një lufte jo të dhunshme, në të cilën përdoren mjete politike, informative dhe diplomatike.

“Ata gënjyen për armët e shkatërrimit në masë në Irak, ata gënjejnë edhe për Venezuelën”, ka thënë Maduro, duke sugjeruar se SHBA-ja po përgatit një konflikt të armatosur me Venezuelën me pretekste të rreme.

Por, njoftimi për përfshirjen e qytetarëve në sistemin e mbrojtjes është sinjal se Karakasi zyrtar po përgatitet gjithashtu për mundësinë e një konflikti të armatosur.

Tensionet janë rritur ndjeshëm pasi Marina e SHBA-së fundosi një anije që pretendohet se transportonte drogë nga Venezuela.

11 persona u vranë në sulm, ndërsa Washingtoni zyrtar konfirmoi se vetë kishte urdhëruar operacionin, transmeton “Index.hr”.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se ishte vetëm fillimi dhe se sulme të ngjashme do të përsëriten.

“Në vend që ta kapnim, me urdhër të presidentit, ne e hodhëm në erë. Dhe do të ndodhë përsëri. Mund të jetë duke ndodhur tani”, tha Rubio.

SHBA-ja ka dërguar përforcime në rajon javët e fundit. Anije luftarake të armatosura me raketa “Tomahawk”, një nëndetëse dhe më tepër se 4000 ushtarakë, përfshirë më tepër se 2000 marinsa, janë vendosur pranë Venezuelës.

Amerika ka dërguar gjithashtu dhjetë aeroplanë luftarakë F-35 në bazën e saj në Porto-Riko.

Këta janë aeroplanët më modernë të gjeneratës së pestë, të njohur për teknologjinë e tyre për të mos u zbuluar nga radarët, për sulme precize e po ashtu edhe për mundësinë e luftës elektronike.

Presidenti i Venezuelës, Maduro, më herët ka akuzuar Washingtonin për planifikimin e “ndryshimit të dhunshëm të regjimit në Venezuelë dhe në të gjithë Amerikën Latine”.

“Qeveria e SHBA-së duhet ta braktisë planin e saj dhe ta respektojë sovranitetin tonë”, tha Maduro.

Pavarësisht fjalëve të ashpra, ai shtoi se Venezuela mbetet e gatshme për bisedime.

“Unë e respektoj Trumpin. Asnjë nga dallimet tona s’mund të çojë në një konflikt ushtarak. Venezuela ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog”, tha Maduro.

Tensionet janë rritur më tej ndërsa Venezuela dërgoi avionë luftarakë F-16 dy herë brenda dy ditësh, duke i fluturuar pranë shkatërruesit amerikan USS Jason Dunham, që gjendet në ujërat ndërkombëtar.

Pentagoni e quajti veprimin si shumë provokues dhe e akuzoi Venezuelën se po përpiqet të prishë operacionet amerikane kundër narkoterrorizimit.

Anija nuk hapi zjarr, por Trump e bëri të qartë: “Nëse ata dërgojnë përsëri aeroplanë, do të jenë në telashe”.

E sekretari i Shtetit, Rubio, e quajti Maduron “një trafikant të akuzuar droge nga SHBA-ja dhe një të arratisur nga drejtësia amerikane”.

Administrata Trump e ka shpallur Maduron tashmë narkoterrorist dhe ka dyfishuar shpërblimin në 50 milionë dollarë, për arrestimin e tij.

Shtëpia e Bardhë i ka dërguar letër Kongresit duke argumentuar se Trumpi po vepron brenda autoritetit të tij kushtetues. Një takim informues me anëtarët e Kongresit lidhur me sulmin ndaj anijes venezuelane u anulua pa shpjegim, duke rritur shqetësimet.

“Asgjë nga kjo nuk është e qartë”, tha një burim i SHBA-së.

Ekspertët paralajmërojnë se një kombinim i sulmeve amerikane, dërgimi i forcave të reja dhe provokimet venezuelane mund të çojnë vendet drejt luftës.

“A do ta pushtojmë Venezuelën dhe ta përmbysim një regjim që bën shumicën e asaj që kërkon administrata?” – ka pyetur Benjamin Gedan, ish-drejtor për Amerikën e Jugut në stafin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Trumpi i krahasoi humbjet amerikane nga mbidozat e drogës me viktimat e luftës.

“Imagjinoni të jeni në një luftë dhe të humbni 300 mijë njerëz…S’do ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha Trump.

Ndërsa Washingtoni këmbëngul se operacionet po synojnë rrjetin e karteleve të drogës, fakti që sulmet po vlerësohen si brenda Venezuelës, me vendosje masive të forcave dhe kërcënime të hapura nga dyja palët, tregon se rajoni ka hyrë në një fazë të përshkallëzimit të rrezikshëm.

Vija ndarëse midis luftës së karteleve të drogës dhe luftës së mundshme po bëhet gjithnjë më e paqartë.

Mgid