Pas kërkesës së Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryetarit Veliaj, ministrat kanë mbërritur në kryeministri për mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Në mesditën e sotme, rreth orës 12, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë kërkesën e Këshillit Bashkiak për të zyrtarizuar shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj. Në rend protokollar, është kryeministri Rama ai i cili njofton vakancën në Presidencë, ku ky i fundit vendos për datën e re të zgjedhjeve të parakohshme.

Sakaq, zgjedhjet do të mbahen jo më herët se 30 dite, dhe jo më pas se 45 ditë.

Me interes të lartë publik, pritet edhe qëndrimi i Veliajt i cili më herët kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kërkesë e cila ‘u refuzua’.

Nëse Veliaj ankimon shkarkimin e tij, me argumentin se mungesa e tij është e detyruar, vendimi i takon Gjykatës Kushtetuese e cila do të gjykojë shkarkimin e tij. Dy janë skenarët e mundshëm, Tirana do të jetë e drejtuar nga kryetar i komanduar ose do të kalojë në zgjedhje të parakohshme.

Për këtë të fundit, socialistët janë mobilizuar me në krye Belinda Ballukun drejtuesen politike zgjedhore për Tiranën, dhe një kandidaturë për postin e kryetares, atë të Ogerta Manastirliut.

Tirana, bashkia më e madhe në vend, prej më shumë se 7 muajsh është pa kryetar, në një qytet ku intensiteti dhe punët publike presin ‘për udhëzim’.

Mes kaosit dhe surprizave, do të pritet qëndrimi i Veliajt për t’i hapur rrugën garës për lokalet fill pas zgjedhjeve të 11 majit. / abcnews.al /

Mgid