Këtë verë, shkencëtarët shpuan thellë nën Oqeanin Atlantik pranë brigjeve të verilindjes së SHBA-së dhe zbuluan një rezervuar të madh e misterioz me ujë të ëmbël – ajo që zbuluan mund të ketë implikime të mëdha, për një botë që përballet me një krizë gjithnjë e më të rëndë uji.

Ekzistenca e ujit të ëmbël nën Atlantik ka qenë e njohur për dekada të tëra, por kishte mbetur praktikisht e paeksploruar.

Në vitet 1960 dhe 1970, ekspeditat shkencore dhe kompanitë që shponin oqeanin për burime të tilla si nafta ndonjëherë hasnin ujë të ëmbël.

Pastaj, në vitin 2019, shkencëtarët nga Instituti Oqeanografik Woods Hole dhe Universiteti i Kolumbias njoftuan një ‘zbulim të habitshëm’.

Duke përdorur valë elektromagnetike, ata kishin hartuar një sipërfaqe gjigante me ujë të ëmbël poshtë oqeanit, që shtrihej përgjatë bregut nga Massachusetts në New Jersey dhe ndoshta më tej.

“Duket të jetë formacioni më i madh i tillë i gjetur deri më tani në botë”, thanë shkencëtarët në një deklaratë në atë kohë.

Kjo ngriti pyetje të mëdha: si arriti atje? Sa i vjetër është uji? A po rimbushet? Dhe, më e rëndësishmja: A mund të ofrojnë akuiferët bregdetarë si ky një burim të ri uji të ëmbël për një botë të etur?

Rezervuari i madh pranë bregdetit të SHBA-së është vetëm një nga shumë të tilël, që besohet se janë të fshehur nën oqeanet e botës.

Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë, pjesë e një projekti të quajtur Ekspedita 501, vendosi të kërkonte përgjigje — kjo do të thoshte shpime direkt në akuifer.

Në maj, ata u nisën nga Bridgeport, Connecticut, me një anije të pajisur me një platformë shpimi.

Ata kaluan tre muaj në det të hapur, duke kërkuar në thellësi rreth 1.000 deri në 1.300 metra nën dyshemenë e detit në vende të ndryshme për të mbledhur sedimente dhe mostra uji.

Ata zbuluan ujë me përmbajtje kripe, shumë më të ulët se niveli i ujit të detit dhe afërsisht në nivelin që agjencitë amerikane dhe ndërkombëtare këshillojnë për ujë të pijshëm.

Tani po dërgohet për testime laboratorike, për të përcaktuar se çfarë lloj mikrobesh përmban dhe sa i sigurt mund të jetë për t’u pirë.

Një tjetër mister për t’u zgjidhur është mosha e ujit. Mund të jetë 200 vjeç, mund të jetë 20,000 vjeç, tha Brandon Dugan, një profesor gjeofizike në Shkollën e Minierave të Kolorados dhe një nga udhëheqësit e ekspeditës.

Prania e ujit më të ri do të sugjeronte që rezerva po rimbushet; uji më i vjetër do të tregonte se është një burim i kufizuar që nuk po rimbushet. Ata duhet të kenë përgjigjet brenda rreth gjashtë muajsh, tha Dugan.

Shkencëtarët do të kryejnë gjithashtu teste për të përcaktuar origjinën e ujit – mund të ketë ardhur nga një akullnajë që po shkrihet ose nga shiu.

«Ne mendojmë se uji i ëmbël ka mbërritur atje mijëra vjet më parë, kur niveli i detit ishte shumë më i ulët dhe shelfi kontinental ishte i ekspozuar në tokë», tha Holly Michael, një profesoreshë e shkencave të Tokës dhe inxhinierisë civile dhe mjedisore në Universitetin e Delaware, e cila ishte pjesë e ekspeditës.

Njohja e origjinës do të ndihmojë në zbulimin e “se si kanë evoluar këto sisteme me kalimin e kohës”, tha Dugan.

Shkencëtarët më pas mund ta zbatojnë këtë kuptim në zona të tjera ku ka prova të akuiferëve të ujërave të ëmbla në det të hapur, siç janë Indonezia, Australia dhe Afrika e Jugut.

Gjithashtu do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se si këto burime të ujërave të ëmbla nënujore po ndryshojnë, ndërsa niveli i detit rritet, pavarësisht nëse ato po rriten apo po tkurren.

«Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është e rëndësishme për të parashikuar se si mund ta përdorim ujin në të ardhmen», tha Michael.

Akuiferi i konfirmuar nga ekspedita duket i gjerë, tha Eric Attias, një profesor asistent kërkimor në Shkollën Jackson të Gjeoshkencave në Universitetin e Teksasit në Austin, i cili nuk ishte i përfshirë në projekt.

Mund të “përmbajë ujë të pijshëm të mjaftueshëm për të furnizuar një metropol me madhësinë e New York City për qindra vjet”, tha ai për CNN, dhe ngjall shpresa se mund të “zbutë mungesat për popullatat bregdetare në të ardhmen”.

Pothuajse gjysma e popullsisë së botës jeton brenda një rrezeje prej 60 miljesh nga bregdeti dhe shumë prej tyre mbështeten në akuiferet bregdetare — burime të cilat po pakësohen me shpejtësi për shkak të mbingarkesës dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike, siç është rritja e nivelit të detit, të cilat mund të ndotin ujërat nëntokësore.

«Në të ardhmen, burimet ujore bregdetare do të përkeqësohen edhe më shumë», tha Michael, duke i detyruar komunitetet të drejtohen drejt burimeve të tjera, më të shtrenjta të ujit, siç është shkripëzimi.

Ujëmbajtësit nënujorë mund të jenë një alternativë.

Megjithatë, ka shumë sfida për t’u përballuar fillimisht. Uji është i rëndë dhe nxjerrja e tij lart dhe transportimi i tij në breg potencialisht do të jetë shumë energji-intensiv dhe i kushtueshëm, megjithëse Dugan sugjeron se energjia e erës mund të ndihmojë.

Ekziston pyetja se kush do ta menaxhojë, trajtojë dhe paguajë për ujin, i cili do të tërhiqet nga ujërat federale përpara se të dërgohet në shtete dhe më pas në qytete.

Pastaj është sfida teknike e sigurimit që uji i ëmbël të mos ndotet nga uji i kripur që ndodhet sipër dhe poshtë tij.

Pompimi gjithashtu mund të çojë në ndotje të akuifereve bregdetare, nëse të dy sistemet janë të lidhura, tha Attias.

Përdorimi i ujërave nëntokësore në det të hapur “do të jetë i kushtueshëm dhe nuk është i pafund”, tha Michael.

“Mbrojtja e ujërave të ëmbla që kemi në tokë është ende gjëja më e mirë që mund të bëjmë. … Sigurisht, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të kërkojmë mundësi alternative, prandaj po e bëjmë këtë shkencë.”

Dugan është optimist për potencialin. “Të gjitha pjesët ekzistojnë”, është vetëm çështje kohe, tha ai.

Ai vlerëson se do të duhen rreth 10 vjet para se akuiferët në det të hapur të mund të shfrytëzohen siç duhet.

Ajo që studiuesit do të nxjerrin gjatë muajve të ardhshëm mund të ketë implikime globale. Provat sugjerojnë se ka rezerva uji të ëmbël në det të hapur në çdo kontinent, tha Dugan.

“Mund të marrim atë që kemi mësuar në këtë pullë postare të Anglisë së Re dhe të fillojmë të mendojmë se si lidhet ajo me zona të tjera.”/ CNN.

Mgid