Pas disa ditëve pushim që pasuan sfidën me Ludogoretsin dhe fundjavës së lirë në kampionat (shtyrja e ndeshjes së xhiros së 4-t me Rabotniçkin), kuqezinjtë janë kthyer sot pasdite në stërvitje, duke zhvilluar seancën e parë nën reshje shiu.
Dy përforcimet e fundit, Sebastijan Spahiu dhe Egzon Belica, kryen stërvitjen e parë me grupin, pasi iu bashkuan skuadrës gjatë ditëve të mini-pauzës. Në anën tjetër, munguan gjashtë futbollistë: Gaye, R. Ramadani, Webster, Meliqi, Ajeti dhe Ceka, të cilët janë grumbulluar me ekipet përfaqësuese.
Skuadra do të vazhdojë punën deri të dielën, sipas planprogramit të hartuar nga stafi teknik. Pauza kampionale ka ardhur në kohën e duhur, duke i dhënë ekipit mundësi për pak “frymë” pas një fillimi të ngjeshur sezoni, veçanërisht për shkak të angazhimit në Evropë, ku kuqezinjtë zhvilluan 8 ndeshje të vështira në harkun e pak javëve.