Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, realizoi takim
me përfaqësues të shoqatave të personave me nevoja të posaçme, për të
prezantuar planin e tij për një Çair më gjithëpërfshirës dhe të
barabartë.

“Vizioni ynë është ndërtimi i një mjedisi të qasshëm dhe dinjitoz për të
gjithë qytetarët, pa përjashtim. Çairi duhet të bëhet një komunë ku
personat me nevoja të posaçme gëzojnë mbështetje të plotë,
infrastrukturë të përshtatshme dhe shërbime cilësore,” theksoi Mexhiti
gjatë takimit.

Ai njoftoi se të gjitha objektet dhe institucionet komunale do të
përshtaten me standarde të plota të qasjes, duke siguruar hyrje të
lehtësuar, infrastrukturë funksionale dhe shërbime të kapshme për këtë
kategori të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, do të inkurajohet edhe
sektori privat që të ndjekë të njëjtin model gjithëpërfshirës dhe
respektues.

Një nga projektet kryesore të platformës së tij është ndërtimi i një
shkolle moderne për fëmijët me nevoja të posaçme, në parcelën e shkollës
“Idnina”.

‘Institucioni do të ketë kapacitet prej 150 deri 200 nxënësish, hapësira
funksionale në dy kate, klasa të specializuara për autizëm dhe për çdo
nevojë tjetër, me hapësira për mësim, pushim, fjetje dhe rekreacion’,
tha Mexhiti.

“Shkolla do të jetë e para e këtij lloji në vend, dhe do t’u shërbejë
fëmijëve nga 27 komuna të ndryshme’ theksoi Mexhiti.

Përveç investimeve në infrastrukturë, Komuna e Çairit do të mbështesë
edhe organizimin e aktiviteteve kulturore, rekreative dhe sociale për
personat me nevoja të posaçme, për të nxitur përfshirjen dhe mirëqenien
sociale të tyre.

“Çdo hap që ndërmarrim është me një qëllim të vetëm: ta bëjmë Çairin
komunë moderne, humane dhe të barabartë, ku askush nuk mbetet pas”
përfundoi Mexhiti.

Mgid