Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut sot do t’i shqyrtojë lëndët për Vendimin e Qeverisë me të cilin përcaktohet numri i anëtarëve të këshillave të komunave, gjegjësisht shkurtimi i numrit të këshilltarëve komunal në disa komuna me shumicë shqiptare.
Për këtë pikë janë paraqitur tre iniciativa. Iniciativa e parë është paraqitur nga Skender Rexhepi, i cili thekson se vendimi i kontestuar krijon pasiguri juridike, sepse sipas tij, Qeveria e ka marrë Vendimin për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave në komuna pa autorizim ligjor. Në iniciativë thuhet se Qeveria nuk ka autorizim ligjor për marrjen e vendimeve të tilla dhe numri i anëtarëve që është përcaktuar me Vendimin e kontestuar është i ndryshëm nga mënyra e paraparë në nenin 34 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Gjithashtu thuhet se Vendimi nuk përmban të dhëna mbi bazën e të cilave është përcaktuar numri i anëtarëve të këshillave, gjë që e bën atë të paqartë dhe në kundërshtim me nenin 9 alineja 3 të Kushtetutës.
Iniciativa e dytë është paraqitur nga Qenan Alia, i cili pohon se Vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me disa nene të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Ai thekson se pushteti ekzekutiv nuk mund të përcaktojë numrin e anëtarëve të këshillave të komunave në kundërshtim me të dhënat zyrtare të marra nga Regjistrimi i popullsisë së vitit 2021.
Parashtuesit e iniciativës së tretë janë Blerim Bexheti, koordinator i grupit parlamentar “Fronti Evropian” dhe Sali Murad, deputet i të njëjtit grup parlamentar. Në këtë iniciativë, ndër të tjera, theksohet se me Vendimin e kontestuar shkelet neni 34 i Ligjit për vetëqeverisjen lokale, sepse sipas tyre, i jepet autorizim Qeverisë që të rregullojë numrin e anëtarëve të këshillave të komunave. Sipas parashtuesve, neni 36 paragrafi 3 i Ligjit për Qeverinë lejon marrjen e vendimeve për zbatimin e ligjeve, por jo marrjen e vendimeve që bazohen në metodologji të kontestuara ligjërisht apo të shfuqizuara. Si argument për këtë, ata e përmendin vendimin e Gjykatës Kushtetuese U.nr.251/2025, me të cilin Gjykata ka shfuqizuar pjesë të Metodologjisë për zbatimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021. Theksohet se fakti që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pjesët e kontestuara të Metodologjisë është me rëndësi themelore për vlerësimin juridik të Vendimit aktual të Qeverisë, sepse ai bazohet në bazat metodologjike të shfuqizuara, përkatësisht në të dhënat nga kategoria “popullsia rezidente” sipas regjistrimit të vitit 2021