Të gjithë sytë janë sot nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e cila mblidhet paraditen e kësaj të enjte në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri shqiptar Edi Rama pritet të shpallë publikisht emrat e ministrave që do të përbëjnë kabinetin e tij të katërt qeverisës, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.

Rama pritet të paraqesë edhe vizionin për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, me prioritetet kryesore të përqendruara tek reformat për integrimin evropian, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

Gjatë Asamblesë, është parashikuar edhe një hapësirë për diskutime pas fjalës së kryeministrit.

Ndërkohë, të premten më 12 shtator do të zhvillohet seanca e parë e legjislaturës së re, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Në këtë seancë, 140 deputetët e rinj do të betohen për të ushtruar mandatin e tyre në përputhje me Kushtetutën.

Pas konstituimit të Parlamentit, Edi Rama do të dorëzojë zyrtarisht tek Presidenti listën e ministrave të propozuar. Kreu i shtetit ka në dispozicion 7 ditë për dekretimin e tyre, ndërsa më pas, brenda 10 ditëve, emrat kalojnë për votim në Kuvend, në të njëjtën seancë ku kryeministri do të prezantojë edhe programin politik të qeverisë së re, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Mgid