Shqipëria do të hapë edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave, ASH: Urime Shqipëri, Maqedonia e Veriut humbi rrugën drejt BE-së

Presidenca Daneze njoftoi se në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, Shqipëria do të hapë edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aleanca për Shqiptarët mirëpret këtë lajm dhe uron Shqipërinë për intensifikimin e jashtëzakonshëm të procesit të anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, shprehim shqetësim të thellë për ngecjen e procesit euro-integrues të Maqedonisë së Veriut. Aleanca për Shqiptarët, e vetëdijshme plotësisht për rrugën e paalternativë të vendit tonë drejt BE-së, në mënyrë demonstrative braktisi këtë qeveri që po ndjek politika të kundërta me BE-në dhe SHBA-të. Për gjashtë muajt e parë të qeverisjes nuk u arrit plotësimi i kushtit themelor – heqja e barrierës për anëtarësim në BE. Ndryshimet kushtetuese të kërkuara nuk u realizuan, ndërsa politikat e qeverisë i hapën dyert depërtimit të “Botës Serbe” në çdo pore të shtetit dhe shoqërisë.
VMRO-DPMNE dhe vasalët e tyre, që për shqiptarët nuk vlejnë më asgjë, kanë ndryshuar kahje duke u orientuar drejt Beogradit, Budapestit dhe Moskës. Sot jemi dëshmitarë se Serbia është ulur këmbëkryq në Maqedoninë e Veriut, ndërsa vasalët e VLEN-it vazhdojnë ta amnistojnë Mickoskin duke gjuajtur shigjeta nga opozita shqiptare.
19 tetori do të jetë referendum dhe demaskim i plotë i hyzmeqarëve të VMRO-DPMNE-së dhe kupolës së tyre – “Botës Serbe”.
Shqiptarët, që në çdo sondazh dalin 99% pro-evropianë dhe pro-amerikanë, nuk do të lejojnë që VLEN-i t’i fusë në kthetrat e ndikimit rus përmes Serbisë.
Aleanca për Shqiptarët