Jemi përpara një provimi të madh: ose do të garantojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në parime vizionara ose do të nxitojmë drejt një katastrofe me përmasa të paimagjinueshme për njerëzimin, theksoi sot presidentja Gordana Siljanovska – Davkova në fjalimin e saj në Sesionin e 80-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkura në Nju-Jork.

“Para syve tanë fillon një epokë e re gjeopolitike. Në vend që t’u përgjigjemi së bashku sfidave urgjente, siç janë paqja dhe siguria, ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i mjedisit jetësor, inteligjenca artificiale dhe pabarazitë në rritje, duket se po shkojmë drejt një gjendjeje lufte post-hobsiane të të gjithëve kundër vetvetes. Në vend të një rendi të vetëm ndërkombëtar, duket se po shfaqen rende paralele, secili me rregullat, vlerat dhe interesat e veta, të cilat, jo rrallë, drejtohen kundër njëri-tjetrit”, tha Siljanovska-Davkova.

Sipas saj, Kombet e Bashkura sot përballen me një tërmet gjeopolitik dhe gjeoekonomik, kurse krizat e sotme janë pasojë e zhvendosjeve të thella tektonike që minojnë parimet që kanë formësuar botën gjatë 80 viteve të fundit.

“Në vend që të krijojë ndërgjegjësim për një të ardhme të përbashkët, njerëzimi po përballet me luftëra dhe humbje të njerëzimit. Me injorimin gjithnjë e më të madh të të drejtës ndërkombëtare humanitare, uria po bëhet armë ndërsa punëtorët humanitarë cak. Trazirat e rendit ndërkombëtar kanë hapur çarje të thella gjeopolitike. Një nga më aktivet është në Ukrainë, ku lufta ka zgjatur tashmë tre vjet e gjysmë. Agresioni rus është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo bëri thirrje për deeskalim të menjëhershëm, respekt të vazhdueshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe zbatimin e diplomacisë parandaluese për të ulur tensionet dhe për të ruajtur paqen.

Vija gjeopolitike e ndarjes, siç tha ajo, kalon edhe nëpër rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Procesi i pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian është penguar vazhdimisht për 20 vjet, por jo në bazë të kritereve objektive të Kopenhagenit, por për arsye subjektive, nacionaliste. Kushti i fundit i BE-së për fillimin e negociatave tona është një ndryshim i ri, i rivendosur në Kushtetutë”, tha presidentja.

Ajo theksoi se kushtëzimi në fillim të negociatave me ndryshime të reja kushtetuese rihap çështjet e historisë, kulturës dhe gjuhës, të cilat “ishim të bindur se ishin mbyllur me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”.

Ajo thekson se ne e perceptojmë veten si evropianë dhe se besojmë thellësisht në projektin evropian, i cili solli paqe dhe prosperitet ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ideali evropian mbetet frymëzimi dhe aspirata jonë më e madhe strategjike. Si vend i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, nuk duam mosmarrëveshje me fqinjët tanë. Ajo që dëshirojmë është të integrohemi në Union, por pa kushte shtesë dhe me dinjitet kombëtar të ruajtur”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo paralajmëroi se pas luftës në Ukrainë, integrimi i bllokuar evropian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie. “Me derën e mbyllur politike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe derën gjërë të hapur për ndikimin e qendrave të treta gjeopolitike të pushtetit, është ironike që Unioni të bëjë thirrje për rezistencë ndaj tyre”, tha presidentja, duke shtuar se nëse BE-ja dëshiron të jetë një union gjeopolitik, nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor në një vakum gjeopolitik.

Në fjalimin, duke iu referuar Lindjes së Afërt dhe Gazës, ajo shprehu bindjen se paqja e qëndrueshme në Lindjen e Afërt mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Në këtë frymë, ne riafirmojmë mbështetjen tonë për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë deeskalimin, dialogun gjithëpërfshirës dhe negociatat e drejtëpërdrejta. Alternativa është të përpiqemi të rigjallërojmë multilateralizmin dhe t’i bëjmë institucionet e tij më rezistente ndaj goditjeve sistemike”, tha Siljanovska – Davkova.

Sipas saj, brezat e rinj kanë të drejtën për një Kartë të rinovuar, për Kombe të Bashkuara të reformuara dhe të forta, të cilat, do t’u mundësojnë atyre të jetojnë në paqe midis kombeve, por edhe në paqe me natyrën.

“Këto reforma nuk duhet të jenë kozmetike, por të thella për të mundësuar përfshirje më të madhe, harmonizim midis vlerave dhe mekanizmave, optimizim të interesave kombëtare dhe globale dhe institucione të forta dhe funksionale”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo konsideron se reformat e Kombeve të Bashkuara varen nga fakti nëse ato shihen si një mundësi për të rivendosur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, apo si kontestim i previlegjeve të disa vendeve anëtare. “Por cili është qëllimi i të qenit një vend anëtar i privilegjuar i një organizate ndërkombëtare jofunksionale, jorelevante, të margjinalizuar?, pyeti presidentja, duke shtuar se reforma është e nevojshme jo vetëm për shkak të sfidave të vjetra, por edhe për shkak të sfidave të reja. “Intelegjenca artificiale sjell mundësi të mëdha, por edhe rreziqe të pallogaritshme për qytetërimin tonë. Ndikimi i saj mund të jetë edhe më i madh se revolucionet industriale dhe digjitale. Të vetëdijshëm për këtë, unë dhe vendi im mbështesim propozimin për ta bërë intelegjencën artificiale një nga prioritetet e sesionit të 80-të”, tha Siljanovska-Davkova.

Lidhur me zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ri të Kombeve të Bashkuara vitin e ardhshëm, ajo theksoi se diplomati i parë i ardhshëm i botës duhet të ketë shumë njohuri, durim dhe takt. “Pas 80 viteve nga themelimi i saj, është koha e duhur që një grua të jetë Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në një botë të dominuar nga burra të fortë, shpesh me armë, na duhen gra të forta me mençuri dhe empati”, tha presidentja.

Lidhur me ndryshimet klimatike, ajo theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut tashmë po i ndiejnë pasojat e krizës klimatike, siç janë kushtet ekstreme të motit, prandaj në COP29 në Baku mbështetëm zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.

Gjithashtu theksoi se po bëjmë përpjekje të mëdha për të promovuar lidershipin e grave dhe zbatimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, se kemi nënshkruar Kornizën e re për bashkëpunim me Kombet e Bashkuara 2026-2030, me qëllim sigurimin e zhvillimit gjithëpërfshirës shoqëror dhe njerëzor, një ekonomi të qëndrueshme dhe punë të denjë, shoqëri dhe ekosisteme rezistente dhe të gjelbra, sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë.

“Ne duhet t’i njohim Kombet e Bashkuara për atë që janë – një instrument vërtet i papërsosur, por i domosdoshëm i kombeve në punën për një evolucion paqësor drejt një rendi botëror më të drejtë dhe më të sigurt. Le t’i japim këtë shans”, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në fund të fjalimit të saj në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.

Mgid