Një tërmet në lindje të Afganistanit ka vrarë të paktën 610 persona, ka plagosur 1,300 të tjerë dhe ka shkatërruar shumë fshatra, tha të hënën një zëdhënës i qeverisë talebane, raporton AP.
Tërmeti me magnitudë 6.0 të dielën vonë goditi një sërë qytetesh në provincën Kunar, pranë qytetit të Jalalabadit në provincën fqinje Nangahar, duke shkaktuar dëme të shumta.
Tërmeti në orën 23:47 ishte i përqendruar 27 kilometra në verilindje të qytetit të Jalalabadit në provincën Nangarhar, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Ai ishte vetëm 8 kilometra në thellësi. Tërmetet më të cekëta kanë tendencë të shkaktojnë më shumë dëme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Abdul Matin Qani konfirmoi shifrat e viktimave për Associated Press, duke thënë se tërmeti vrau 610 persona dhe plagosi 1,300 të tjerë në Kunar. Shumë shtëpi u shkatërruan.
Në Nangarhar, dhjetëra persona vdiqën dhe qindra u plagosën, tha Qani.
“Operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar atje dhe disa fshatra janë shkatërruar plotësisht. Shifrat për dëshmorët dhe të plagosurit po ndryshojnë. Ekipet mjekësore nga Kunar, Nangarhar dhe kryeqyteti Kabul kanë mbërritur në zonë”, tha Sharafat Zaman, një zëdhënës i ministrisë së shëndetit publik.
Ai tha se shumë zona nuk kishin qenë në gjendje të raportonin shifrat e viktimave dhe se “numrat pritej të ndryshonin” ndërsa raportohen vdekje dhe lëndime.
Një tërmet me magnitudë 6.3 goditi Afganistanin më 7 tetor 2023, i ndjekur nga lëkundje të forta pasuese. Qeveria talebane vlerësoi se të paktën 4,000 njerëz humbën jetën në atë tërmet.
OKB dha një numër shumë më të ulët të vdekjeve, rreth 1,500. Ishte katastrofa natyrore më vdekjeprurëse që ka goditur Afganistanin në kujtesën e kohëve të fundit.