Urim Saliu
Koha për disa kryetarë komunash po shkon drejt fundit. Ditët e tyre janë të numëruara, si ato të pacientëve në një pavion spitali pa shpresë shërimi. Sado fushata të bëjnë, sado mjegull t’u hedhin qytetarëve para syve me propaganda të ulëta, me fotografi e përqafime me njerëz që për katër vite as nuk i panë, humbja i pret.
Qytetarët e dinë tashmë ç’është një gënjeshtër. Ata e kanë përjetuar në lëkurën e tyre anashkalimin dhe premtimet e rreme. Vota nuk është më thes me të cilin pasurohet rrethi i ngushtë i partisë dhe disa militantë. Vota është për të gjithë. Ose një kryetar u shërben të gjithëve, ose nuk fsheh dot më dështimin me manipulime të reja.
Por në të vërtetë, kryetari nuk e ka edhe aq problem nëse humb. Ai tashmë e ka siguruar jetën e tij. Më keq janë ata që kanë jetuar mbi shpatullat e tij – militantët, përfituesit, ata që janë ushqyer nga buxheti publik përmes favoreve dhe tenderëve. Për ta nuk ka më ditë shpresëdhënëse. Në xhirollogaritë e tyre nuk do të hyjnë më para të pamerituara. Do të përballen me një ndërprerje brutale, si ajo e rrymës dhe ujit pa të cilat nuk jetohet.
Tetori do të trokasë si një vjeshtë e vetmisë së madhe për disa. Ku ka më keq se të mbetesh pa pushtet, pa benefite, pa para, pa njerëzit që deri dje të thurnin lavde? Ku ka më keq se të ndjehesh i braktisur, i vetmuar, i harruar?
Në tetor, do të fillojë jeta e vështirë për ata që ua bënë të vështirë jetën të tjerëve. Atëherë nuk do t’u bëjë derman asgjë. Sepse të gjithë do t’i lënë. Të gjithë do të sillen sikur kurrë nuk i kanë njohur. Dhe kur ai të përpiqet t’u kujtojë se dikur ishte “dikush”, harresa do të ketë fshirë çdo gjurmë.