Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zhvilloi një vizitë pune në Departamentin e MPB-së në Strugë dhe në Stacionin e Policisë Kufitare në Qafë Thanë. Gjatë takimeve me punonjësit e policisë, ai theksoi rëndësinë e masave të sigurisë në prag të zgjedhjeve lokale.
“Në pritje të zgjedhjeve të ardhshme lokale, tashmë janë ndërmarrë aktivitete operative për të siguruar një proces zgjedhor paqësor dhe të sigurt”, deklaroi ministri Toshkovski.
Ai gjithashtu vuri në dukje rritjen e dukshme të qarkullimit kufitar gjatë sezonit veror mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në veçanti, në pikën kufitare të Qafë Thanës është regjistruar një numër më i madh pasagjerësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Bashkë me kolegët tanë nga Shqipëria, po punojmë në zbatimin e sistemit ‘One Stop’, i cili, së bashku me disa përmirësime infrastrukturore, synon të ofrojë një zgjidhje të përhershme për reduktimin e mbingarkesës dhe përshpejtimin e kalimit të pasagjerëve dhe automjeteve gjatë sezonit turistik”, theksoi Toshkovski.