Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa 18 të tjerë janë plagosur pasi doli nga shinat funikulari “Gloria” në Lisbonë, njoftoi zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës.

Funikulari është një tren i vogël me kabllo që lëviz nëpër pjerrësi dhe është një nga atraksionet më të njohura turistike në kryeqytetin portugez. Linja “Gloria” është hapur në vitin 1885 dhe lidh sheshin “Restauradores” në qendër të Lisbonës me lagjen “Bairro Alto”, të njohur për klubet e natës dhe kafet, e ndodhur në një nga kodrat e qytetit.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur identitetet dhe kombësinë e viktimave, por kanë konfirmuar se mes tyre ka edhe të huaj. Sipas informacioneve të para, ka ndodhur këputja e një kablli të mjetit, pas së cilës ai mori shpejtësi duke zbritur nga pjerrësia, doli nga shinat dhe u përplas në një shtëpi.

Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
“Ky është një ditë tragjike për qytetin tonë. Lisbona është në zi, kjo është një ngjarje vërtet tragjike,” deklaroi kryetari i bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas.

Mjeti kishte kapacitet rreth 40 pasagjerë. Aksidenti ndodhi në orën 18:05 sipas orës lokale, pranë bulevardit “Liberdade”. Një dëshmitare për televizionin lokal tha se mjeti lëvizte me shpejtësi të madhe në zbritje:
“U përplas në ndërtesë me një forcë të madhe dhe u shkatërrua si kuti kartoni, nuk pati asnjë frenim,” tregoi ajo.

Sipas Institutit Kombëtar për Monumentet, funikulari i nënshtrohet një kontrolli teknik të plotë çdo katër vjet. Ndërkohë, kompania e transportit të qytetit siguroi se të gjitha protokollet e mirëmbajtjes ishin respektuar.

Qeveria e Portugalisë shpalli Ditë zie kombëtare pas tragjedisë. Shkaqet e aksidentit ende po hetohen.

Funikularët e Lisbonës, përfshirë “Bica” dhe “Lavra”, si dhe ashensori panoramik “Santa Justa”, janë të njohur për ngjyrën e verdhë të ngjashme me tramvajet e Lisbonës dhe përfaqësojnë një atraksion të madh për turistët.

Mgid