Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka pranuar një urim nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me rastin e 34-vjetorit të pavarësisë së vendit – 8 Shtatorit.

Në publikimin e saj, Siljanovska Davkova shprehu mirënjohje për këtë gjest, duke e cilësuar si një dëshmi të miqësisë së fortë maqedono-amerikane dhe partneritetit strategjik, si dhe një nxitje për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Mirënjohje të sinqertë presidentit të SHBA-së dhe popullit amerikan për urimin me rastin e 34-vjetorit të 8 Shtatorit”, shkroi ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se urimi i Trump, i dorëzuar nga ambasadorja amerikane Angela Aggeler, përmbante mesazhe të rëndësishme të njohjes, mirëkuptimit dhe mbështetjes, të cilat janë të nevojshme në kohën kur bota përballet me konflikte, krime ndërkombëtare dhe nevoja për siguri e paqe të qëndrueshme.

Mgid