Turisti holandez vdes pasi bie nga 100 metra lartësi në Qafën e Valbonës – pas 18 orësh tërhiqet trupi i tij – detaje

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka marrë më 16 shtator një thirrje urgjente nga kolegët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë – stacioni Tropojë, lidhur me një aksident tragjik në Qafën e Valbonës.
Një turist nga Mbretëria e Holandës kishte rënë nga një lartësi mbi 100 metra në një kodër panoramike të frekuentuar nga vizitorë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë pas njoftimit, një skuadër e ShKShMK-së, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Agjencinë Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave dhe Forcat Ajrore të Shqipërisë, u nis drejt vendit të ngjarjes. Ekipet e shpëtimit, të pajisura me mjete të specializuara, u transportuan me helikopter në zonë dhe hartuan një plan për nxjerrjen e trupit.
Shpëtuesit ngritën sisteme sigurie me litarë për t’iu qasur trupit dhe e tërhoqën nga faqja shkëmbore në një zbritje vertikale prej 140 metrash.
Fillimisht ishte paraparë që transportimi të bëhej me helikopter, por errësira dhe më pas kushtet e vështira atmosferike me mjegull të dendur nuk e bënë të mundur. Për pasojë, trupi u evakuua në këmbë deri pranë burimit të Valbonës, ku helikopteri arriti të ateronte.
ShKShMK’ja njoftoi se Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati rreth 18 orë dhe përfundoi me sukses.
ShKShMK dhe institucionet shqiptare falënderuan të gjithë shpëtuesit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, duke shprehur njëkohësisht ngushëllime familjarëve të viktimës.