Turqia ka burgosur dy burra të martën vonë, pasi prokurorët thanë se programi i tyre online përfshinte një shaka që i referohej një hadithi ose mësimi të Profetit Muhamed, e për të cilin ata pretendojnë se mund të nxisë urrejtje fetare.

Një gjykatë në Stamboll urdhëroi paraburgimin e YouTuber-it Bogac Soydemir, prezantues i programit “Soguk Savas”, dhe të ftuarit të tij Enes Akgunduz, një reper, pasi autoritetet kanë thënë se programi përmbante një batutë rreth hadithit “vera është nëna e të gjitha të këqijave”.

Prokurorët argumentuan se komentet e tyre rrezikonin të nxisnin armiqësi në baza fetare.

Të dy burrat kërkuan falje pas transmetimit dhe mohuan se kishin bërë ndonjë gabim kur u paraqitën në gjykatë të martën, raporton Reuters.

Soydemir ka thënë se nuk kishte ndërmend të provokonte urrejtje, duke shtuar se e hoqi videon pasi u njoftua për çështjen dhe kërkoi falje në llogaritë e tij në mediat sociale.

Akgunduz gjithashtu ka hedhur poshtë çdo sugjerim për ofendim të qëllimshëm dhe ka thënë se biseda e tyre ishte keqinterpretuar.

Çështja vjen pas burgosjes së katër karikaturistëve nga revista javore satirike Leman për një karikaturë që mendohet se përshkruan Profetët Muhamed dhe Moisi, të cilën presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka konsideruar si një “provokim të ndyrë”.

Mgid