Në afërsi të Stacionit të Policisë në Probishtip sot u zhvillua një ceremoni solemne për zbulimin e bustit përkujtimor në nder të policit Toshe Todorovski, i cili humbi jetën tragjikisht duke shpëtuar të rinj gjatë zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan informon Tetovasot.
Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë, kolegë të tij, përfaqësues të institucioneve, sindikatave dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmit u përkulën me respekt dhe dinjitet para veprës heroike të Todorovskit, i cili dha jetën për të shpëtuar jetë të tjera.
“Gjashtë muaj pas kësaj tragjedie, dhimbja dhe trishtimi mbeten të forta, por kujtimi i guximit dhe vetëmohimit të tij do të jetë i përjetshëm. Toshe mbetet simbol i përkushtimit dhe sakrificës së policit maqedonas – një njeri që vuri jetën e tij në shërbim të mbrojtjes së të tjerëve,” theksoi Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski gjatë fjalës së tij.
Ai shtoi se Ministria e Brendshme do të vazhdojë të mbështesë familjet e të ndjerëve dhe nuk do të lejojë që sakrifica e tyre të harrohet. “Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme për Toshen. Heronjtë jetojnë përgjithmonë, Toshe do të jetojë përgjithmonë,” u shpreh ministri Toshkovski.
Ceremonia u mbyll me homazhe dhe vendosje lulesh pranë bustit të policit hero.TS