Ujkani: S’e di nëse do të mundë të shkojmë në Botëror, por ëndrra e jonë është Evropiani i ardhshëm
Zëvendës-drejtori i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani ka folur për gjasat e Dardanëve për të shkuar në Kampionat Botëror, por edhe për mundësitë e ardhshme që do të mundë t’i vijnë në të ardhmen, siç është kualifikimi në një Kampionat Evropian.
Ish-portieri kosovar e ka dhënë një intervistë për mediumin italian “Tuttosport”, përmes së cilit ndër të tjera foli edhe për yjet si Zhegrova, Muriqi e Rrahmani, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne e dimë se çka duam nga Zhegrova dhe nga lojtarët tjerë kyç si Rrahmani e Muriqi. Nuk e di nëse do të arrijmë të shkojmë në Botëror, por ëndrra e jonë është ajo që të shkojmë në Evropianin e ardhshëm. Mendojmë se është një objektiv real, përkundër mijëra vështirësive e pengesave për lëvizjen tonë të futbollit”, deklaroi fillimisht ish-përfaqësuesi i Shqipërisë dhe i Kosovës.
“Fakti se lojtarët kosovarë zënë vend në mesin e lojtarëve jo-evropianë, e ka një peshë për të gjithë në Evropë, është një pengesë për shumë talentë tanë mjaft të fortë. Por, jemi duke u rritur dhe shpejt do të arrijmë: duam që Zhegrova dhe bashkëlojtarët e tij të bëhen simbol i një kombi që është aq shumë i uritur për futboll”, përfundoi Ujkani.