Prindërit e të ndjerëve nga zjarri i marsit në diskotekën “Puls” në Koçan sot për herë të 24-të marshuan për engjëjt e tyre.

Marshi filloi nga Parku i Revolucionit, përmes Qendrës Tregtare, urës tek Qendra Shopping deri te ndërtesa e Drejtorisë për të Ardhura Publike. Povorja vazhdoi drejt stacionit policor dhe përfundoi para Gjykatës Themelore, prej nga u dërgua një paralajmërim ultimat për Prokurorinë dhe gjykatën, nga të cilët presin përgjigje për pyetjet që më herët ua kishin dorëzuar me shkrim.

Nëse deri të premten, më 3 tetor, nuk marrim një përgjigje zyrtare, nuk do të ketë më marshime, do të vazhdojmë me protesta dhe bllokada. Nuk ka më hapa të qetë. Nuk do të heshtim më, thanë prindërit.

Ata nga Prokuroria Publike presin përgjigje se deri ku është procedura kundër të punësuarve në MPB dhe kur do të ketë të akuzuar dhe aktakuzë, ndërsa nga gjyqtarët e Gjykatës Penale kërkojnë të dinë se kur do të sjellin vlerësimin e aktakuzës.

Është koha t’i jepet fund zvarritjes dhe të mundësohet drejtësia e vërtetë. Këto kërkesa ua kemi dorëzuar edhe me shkrim përmes postës. Mjaft është, mendojnë prindërit.

Ata thanë se nuk bëhet fjalë për ndikime politike të prapavijës nga partitë mbi ta, por se këta janë ata, prindërit, dhe zemërimi, trishtimi dhe revolta e tyre ndaj sistemit. Ata mendojnë, siç thonë, se ekzistojnë përpjekje për të bërë një “drejtësi” selektive, në vend që të ketë drejtësinë e vërtetë që u takon fëmijëve të tyre.

Drejtësia nuk pret. Viktimat nuk janë numra — ato janë fëmijët tanë, vëllezërit, motrat tona. Tërë familje janë shkatërruar, thanë me revoltë prindërit, duke shtuar se kërkojnë përgjigje, përgjegjësi dhe drejtësi të vërtetë.

Mgid