Unionit të Gazetarëve Shqiptarë: Rastet antishqiptare në Kumanovë, Manastir, Tetovë dhe në Podgoricë janë një alarm i ri

Ndërprerja e filmit “ Lejleku” të regjisorit Isa Qosja, këtë javë, nga zërat agresivë dhe antishqiptarë të një grupi në Podgoricë, janë shfaqje zgjeruese e një agresioni anti gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Reagimi racist i ekstremistëve ndaj gjuhës shqipe, ndërsa shfaqej premiera e filmit, përbën një akt ekstremist dhe të patolerueshëm.
Ky episod është paraprirë nga disa ndodhi të bujshme antishqiptare, gjatë këtij muaji, të ndodhura në Kumanovë me ekstremistët maqedonas të fshehur nën petkun e tifozave si dhe në Manastir, ndaj një shtetasi të huaj që kishte veshur simbolin identitar shqiptar si dhe në Tetovë, ku rreth njëzetë huliganë maqedonas dhunuan dy gjimnazistë shqiptarë, për shkak se ishin të tillë.
Këto ndodhi rizgjojnë demonët e nacionalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm antishqiptar në rajonin tonë, i cili ka një të shkuar të përgjakshme për këto shkaqe!
UGSH vëren se rastet alarmante që kanë shkaktuar dhe po pasojnë me denoncime nga aktorë të rëndësishëm publikë dhe sidomos nga diplomacia, politika dhe partitizmi rajonal, shpallin alarm të ri për sëmundjen e vjetër, në rajonin tonë.
Ne vërejmë me shqetësim ë, se në hapësirën pa fund të rrjeteve sociale, mediave të reja dhe atyre tradicionale në shoqëritë e rajonit po shumëfishohet gjuha e urrejtjes antishqiptare.
Institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe në Serbi, kanë reagime shpesh të vonuara dhe të pamjaftueshme për një ndikim frenues të këtyre orgqnizimeve apo akteve ekstremiste dhe të dhunshme.
Mediat dhe shumë prej opininistëve nacionalistë dhe ekstremistë antishqiptarë, po shtojnë hapësirat dhe sidomos rëndojnë gjuhën, ndaj shqiptarëve dhe bashkëjetesës ndëretnike në këto shoqëri.
UGSH u drejtohet komuniteteve të mediave dhe gazetarëve, organizatave të kolegëve në këto vende, të bëhen pjesë e një reagimi refuzues për ekstremizmin, nacionalizmat dhe huligqnizmin e dhunshëm në përgjithësi.
Gazetaria përherë do ta mbartë rolin e madh të ndikimit shoqëror përmes informimit dhe raportimit, duke dëshmuar përgjegjësi qytetare dhe respektim identitar ndaj cdo kombësie në rajonin tonë, i cili shkon drejt së ardhmes europiane.