“Ushtria izraelite ka vrarë fëmijën Mohammed Ramez Al-Sultan, lojtar i Al-Hilal Sports Club, së bashku me 14 anëtarë të familjes së tij në një sulm që kishte si objektiv banesën e tyre të premten” në Rripin e Gazës.

Këtë e ka raportuar në rrjetet sociale Federata Palestineze e Futbollit. Sipas Al Jazeera, të paktën 11 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm.

Një njoftim urgjent për evakuim për banorët e qytetit të Gazës është publikuar në rrjetet sociale nga zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), në veçanti për zonën e kullës Burj Al-Nur dhe tendave përreth në rrugën Safed. Ushtria izraelite bëri të ditur më pas se ka goditur kullën, duke pretenduar se ajo ishte “e përdorur nga organizata terroriste Hamas në zonën e qytetit të Gazës” dhe se ndërtesa përmbante infrastrukturë ushtarake të organizatës.

“Organizatat terroriste në Rripin e Gazës shkelin sistematikisht të drejtat ndërkombëtare, duke përdorur struktura civile për qëllime ushtarake dhe duke vepruar qëllimisht në mesin e popullsisë civile,” shkroi IDF në rrjetet sociale.

Ushtria izraelite gjithashtu deklaroi se më shumë se 250.000 njerëz kanë braktisur qytetin e Gazës për t’u zhvendosur në pjesë të tjera të territorit gjatë javëve të fundit, që kur ka intensifikuar ofensivën ndaj qendrës më të madhe urbane të Gazës.

“Sipas vlerësimeve të IDF, më shumë se një çerek milioni banorë të qytetit të Gazës janë larguar nga qyteti për sigurinë e tyre,” deklaroi zëdhënësi në gjuhën arabe i ushtrisë, koloneli Avichay Adraee, në platformën X.

Sipas një analize të CNN, në javët që pasuan shpalljen e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ushtria izraelite ka shkatërruar ose dëmtuar më shumë se 1.800 ndërtesa brenda dhe përreth qytetit. Pamjet satelitore të marra nga Planet Labs më 5 shtator tregojnë për shkatërrime në shkallë të gjerë, kryesisht ndërtesa banimi, në krahasim me pamjet e 9 gushtit – një ditë pas miratimit të ofensivës së re nga Izraeli.

Shumica e shkatërrimeve duket se janë përqendruar në zonën Zeitoun, në jug të qendrës së qytetit. Në fillim të shtatorit, ushtria izraelite u tërhoq nga lagjja dhe hodhi në erë një shkollë që e kishte përdorur si bazë. Ndërmjet 9 dhe 17 gushtit, ushtria gjithashtu ka shkatërruar pjesë të lagjes Al-Tuffah, në lindje të qytetit të Gazës, ku ishin strehuar mijëra palestinezë të zhvendosur.

Në veri të qytetit të Gazës, në Jabalya, ushtria izraelite ka rrafshuar më shumë se 750 ndërtesa, sipas analizës. Pamjesh satelitore të bëra midis 9 gushtit dhe 5 shtatorit tregojnë se pjesa dërrmuese e shkatërrimit nuk është shkaktuar nga sulme ajrore apo luftime, por nga shkatërrime të ngadalta të kryera nga ushtria izraelite, bllok pas blloku, me eskavatorë dhe buldozerë.

Një pamje e bërë më 19 gusht tregon eskavatorë dhe buldozerë izraelitë që shkatërrojnë ndërtesa në Zeitoun. Një ditë më pas, një tjetër pamje i tregon 300 metra më thellë në lagje, duke lënë pas 26 ndërtesa të tjera të rrafshuara dhe gjurmët e zinxhirëve të makinave të rënda – që janë bërë tashmë pjesë e peizazhit të Gazës.

Më 25 gusht, të paktën 16 eskavatorë janë të dukshëm pranë bazës së IDF në Zeitoun, me shkatërrime në vazhdim afër saj.

Ndër 5 dhe 8 shtator, pesë rrokaqiej janë bombarduar, sipas Mahmoud Basal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës.
“Në total, ato përmbanin 209 apartamente, secila me të paktën 20 persona gjatë kësaj gjendjeje emergjente – pra mbi 4.100 fëmijë, gra dhe të moshuar që kanë mbetur pa strehë,” deklaroi ai për CNN.
Sidoqoftë, thekson rrjeti amerikan, edhe para se kabineti i sigurisë izraelite të njoftonte planet për ofensivën në qytetin e Gazës, shkatërrimet tashmë ishin të dukshme dhe të thella.

Televizioni publik izraelit Kan raporton se mbrëmë Hamas ka informuar një grup të ngushtë komandantësh për rezultatin e sulmit izraelit në Doha. Një burim palestinez i afërt me organizatën deklaroi: “Kemi marrë informacion nga Hamas se Khalil al-Hayya ka mbetur i plagosur në sulmin izraelit.”

Sipas burimit, së bashku me al-Hayya, të paktën dy zyrtarë të tjerë të lartë janë plagosur. Por ai sqaroi: “Asnjë anëtar i udhëheqjes nuk është vrarë në sulm.” Gjithashtu, nuk është bërë publike natyra apo shkalla e plagëve të al-Hayya.

Kur të martën Izraeli njoftoi se kishte kryer një sulm kundër drejtuesve të Hamasit në Katar, një agjenci e sigurisë mungonte dukshëm në deklaratat zyrtare: Mossad-i.
Sipas Washington Post, kjo sepse agjencia e inteligjencës izraelite kishte refuzuar të kryente një plan të hartuar javë më parë për të përdorur agjentë në terren për të vrarë udhëheqësit e Hamasit.

Sipas dy izraelitëve në dijeni të çështjes, drejtori i Mossad-it, David Barnea, i ishte kundërvënë ekzekutimit të operacionit, pjesërisht sepse një veprim i tillë mund të kompromentonte marrëdhëniet që ai dhe agjencia kishin ndërtuar me autoritetet katariote, të cilat pritnin Hamasin dhe po ndërmjetësonin negociatat për armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit.

Rezervat e Mossad-it ndikuan në mënyrën si u zhvillua sulmi dhe, ndoshta, në suksesin e tij të mundshëm.
Ato gjithashtu pasqyrojnë kundërshtime më të gjera brenda aparatit të sigurisë izraelite ndaj sulmit të urdhëruar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

Megjithëse ekziston një konsensus i gjerë mes zyrtarëve të sigurisë izraelite që të gjithë udhëheqësit e Hamasit, përfshirë ata që jetojnë jashtë vendit, duhet eventualisht të ndiqen dhe të vriten, shumë kanë vënë në dyshim kohën e operacionit. Kjo sepse drejtuesit e Hamasit po mblidheshin në Katar, një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, për të shqyrtuar një propozim të presidentit Donald Trump që parashikonte lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, në këmbim të një armëpushimi në luftën në Gaza.

Në vend që të angazhonte agjentë të Mossad-it, Izraeli të martën zgjodhi një opsion dytësor: U lëshuan 15 avionë luftarakë, të cilët qëlluan 10 raketa nga distanca.
Hamas deklaroi se sulmi ajror nuk arriti të vriste udhëheqësit kryesorë, përfshirë edhe udhëheqësin e përkohshëm, Khalil al-Hayya.

Herzi Halevi, një ish-komandant i ushtrisë izraelite, ka konfirmuar se më shumë se 200.000 palestinezë janë vrarë ose plagosur në luftën në Gaza dhe se “asnjëherë” gjatë konfliktit operacionet ushtarake nuk janë ndalur për shkak të opinioneve ligjore. Këtë e raportoi The Guardian, duke cituar media izraelite.

Halevi dha dorëheqjen nga posti i shefit të shtabit të përgjithshëm në mars, pasi kishte udhëhequr Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) për 17 muajt e parë të luftës, e cila tani po i afrohet përvjetorit të dytë.

Në një takim me banorët e moshav-it (kooperativë bujqësore) Ein HaBesor, që u regjistrua nga Ynet, Halevi deklaroi se më shumë se 10% e 2,2 milionë banorëve të Gazës janë vrarë ose plagosur: “Më shumë se 200.000 njerëz.”

Ky vlerësim është i rëndësishëm, pasi është afër shifrave aktuale të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, të cilat shpesh janë hedhur poshtë nga zyrtarët izraelitë si propagandë e Hamasit, megjithatë këto shifra konsiderohen të besueshme nga agjencitë ndërkombëtare humanitare.

“Kjo nuk është një luftë e butë. Ne i hoqëm dorezat që në minutën e parë. Fatkeqësisht, jo më herët”, tha Halevi, duke sugjeruar se Izraeli duhej të kishte ndjekur një qasje më të ashpër ndaj Gazës që përpara sulmit të 7 tetorit.

Deri më tani, 64.718 palestinezë janë vrarë dhe 163.859 janë plagosur në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023.
Mendohet se mijëra të tjerë janë vrarë, por trupat e tyre ndodhen ende nën rrënoja.

Të paktën 40 persona u vranë të premten në sulmet izraelite, kryesisht në zonën përreth qytetit të Gazës. Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por të dhënat që kanë rrjedhur nga inteligjenca ushtarake izraelite deri në muajin maj të këtij viti sugjerojnë se më shumë se 80% e të vrarëve janë civilë.

Mgid