Inatet politike, revanshizmi dhe hakmarrja kanë arritur kulmin në Komunën e Tetovës nën drejtimin e Bilall Kasamit. Në panik nga përballja me popullin më 19 tetor, ai është duke shpërfaqur fytyrën e tij të vërtetë.
Si shembull konkret të hakmarrjes, Aleanca për Shqiptarët përmend rastin e biznesmenit dhe sportistit të njohur tetovar, Sinan Idrizi, i cili vetëm para pesë ditësh njoftoi aderimin në Aleancë. Menjëherë pas kësaj, para objektit të tij është shfaqur ekskavatori i komunës dhe është prishur tarraca e restorantit të tij.
Kush nuk mendon si Bilall Kasami, nuk duhet të ekzistojë. Ky është një rast tipik i hakmarrjes së pastër politike.
Aleanca për Shqiptarët sjell edhe një fakt tjetër për të dëshmuar selektivitetin politik të kryetarit të Tetovës. Ekziston vendim komunal edhe për prishjen e tarracës së subjektit “MGM Kom” – me pronar H.H., por ai nuk është ekzekutuar, pasi pronari i tij është donator i partisë së Kasamit dhe i inkasantit Adnan Azizi. Se Bilall Kasami po bën luftë shtrigash dhe drejtësi selektive, dëshmon edhe fakti se një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, A.B., ka zënë hapësirën publike – trotuarin te ura, në afërsi të stacionit policor, pa asnjë lloj dokumenti, dhe për të nuk vlejnë ligjet, sepse ka qenë ish-këshilltar i Lëvizjes Besa, udhëheqës i urbanizmit dhe tani këshilltar personal i Bilall Kasamit.
Kjo tregon qartë për një përpjekje hibride politike dhe hakmarrëse. Çdo lëvizje e opozitës shqiptare, për Bilall Kasamin është një hap drejt humbjes së sigurt në tetor.
Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë fton institucionet e shtetit që të kryejnë kontrolle në Komunën e Tetovës dhe të verifikojnë pse nuk zbatohen të gjitha vendimet e marra në emër të ligjit dhe pse Bilall Kasami ka dy qasje: një ligj për opozitarët dhe një tjetër për donatorët e partisë.
Njëkohësisht, e ftojmë Bilall Kasamin që të ndalë me këtë qasje revanshiste dhe të pranojë faktin se zgjedhjet i ka të humbura me siguri. Pas 19 tetorit ka jetë, dhe jeta vazhdon. Edhe në politikë duhet të veprohet me moral dhe të mbyllet karriera me respekt ndaj popullit që të dha mandat – e jo humbjen ta kthejë në mllef ndaj qytetarëve të Tetovës.