!

Nga Kim Mehmeti

Disa herë me radhë deri më tani BDI’ja opozitare me aleatët e saj e ka ndërruar emrin. Mbase pse don që shqiptarët e këtushëm sa më parë ta harrojnë atë që ajo ishte gjatë njëzet viteve në pushtet, e ta kujtojnë vetëm këtë opozitaren që përnjëherë i kuptoi hallet e shqiptarëve dhe të këqijat e Maqedonisë.

Pra BDI’ja dhe aleatët e saj sot njihen me emrin AKI. Ndoshta që të tregojë se me asgjë më nuk i ngjanë asaj të dy dekadave sa ishte në qeveri, e kur i ndodhën ‘Enciklopedia Maqedonase’ që e ofendoi mbarë shqiptarinë, ‘Sopoti’, ‘Monstra’, Likuidimi i Harun Aliut me shokët, ‘Shkupi 2014’, Nata e Tradhtisë së Madhe në Kumanovë…, por kur ajo sillej si të ishte përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara e jo pjesë e qeverisë që i bëri këto veprime antishqiptare.

Dhe sa i përket ‘interesit shqiptarë’ të cilin sot e mbron AKI, ai mund të përshkruhet vetëm me një fjali: Zot na kthe edhe njëherë aty ku ishim – pranë grazhdit të pushtetit.

Ndërkohë lindi VLEN’i, si diçka që do duhej të ishte e kundërta e BDI’së, por i përbërë nga mbeturinat e saj. Dhe ia doli ta shet gënjeshtrën se katër ‘klanet’ e saj do shkriheshin në një parti të vetme.

VLEN’i që premtoi bashkim, e që gjatë këtij viti sa është në qeveri e shpërlau BDI’në nga gjitha mëkatet dhe ofroi vetëm përçarje brendashqiptare, sot nuk përbëhet nga katër, por nga tri ‘sekte’ për të cilat thuhet se nuk u shkrinë në një tërësi vetëm shkaku i ligësisë së drejtuesve të ‘Alternativës’.

Dhe sa i përket interesit shqiptarë që mbron VLEN’i, ai ka të bëjë me përfitimet personale të pesë – gjashtë vetave të ‘Klanit të Llërcës’, me mbrojtjen e interesave vetjake të tre- katër vetave të ‘Lëvizjes Demokratike’ dhe me realizimin e ligësisë dhe ambicieve të sëmura të dy-tre vetave të ‘Alternativës’.

Kuptohet, nuk ka asgjë jonjerëzore dhe as jo politike të veprosh ashtu si drejtuesit e BESËS të cilët nesër nuk i gjen në partinë ku janë sot.

Siç nuk ka asgjë jonjerëzore dhe jopolitike të mundohesh që me çdo kusht të mbijetosh politikisht, ashtu siç veprojnë drejtuesit e ‘Lëvizjes Demokratike’.

Por është fryt i ligësisë njerëzore dhe i ambicieve të sëmura që zgjedhjet e një komune t’i shohësh si luftën e Bedrit – pra si betejë të përgjakur mes besimtarëve e ‘qafirëve.

Pra duhet të jesh i dehur nga e keqja në vetvete që frustrimin dhe interesin vetjak ta shpallësh si gjithë popullor?.

Tani shtrohet një pyetje e logjikshme: nëse është e vërtet se ‘Alternativa’ e ka penguar shkrirjen e VEN’it në një parti të vetme, atëherë si është e mundur që këtë ta ketë arritur pjesë më e parëndësishme e kësaj aleance?!

Mbase çdo gjë duhet zbërthyer nga këndvështrimi se ka qarqe ‘politike’ shqiptare të cilat fare nuk varen nga vota e shqiptarëve, por të cilat i mirëmbajnë qarqet politike e policore maqedonase.

Edhe atë që ta ‘bashkojnë’ shqiptarinë pasi ta përçajnë atë. Siç ndodhi me BESËN e dikurshme të cilën e ndanë mes veti ‘Klani i Llërcës’ me atë të Çairit, e që sot ata të njëjtit të bashkëpunojnë mes veti si pjesë e vëllazërisë së VLEN’it?!

Sidoqoftë gjatë fushatës para zgjedhore nuk do mungojnë klithmat për zagarët që mund të gjuajnë vetëm lepuj. Por si gjithmonë, do mungojnë thirrjet që ky popull të ketë kujdese, ngaqë korbat janë shpendë të vetëm që guxojnë t’i sulmojnë shqiponjat.

Dhe i sulmojnë ashtu që u lëshohen mbi shpinë dhe i kafshojnë pas qafe dhe në kokë.

Megjithahtë shqiponjat nuk reagojnë, por thjeshtë i hapin krahët dhe ngjiten aq lartë në qiell sa korbit t’i vështirësohet frymëmarrja e të përplaset në tokë.

Sa u përket partive maqedonase ato janë sorranik. Dhe VMRO-DPMNE’ja është dëshmuar se dinë t’i ushqejë dhe t’i mirëmbajë korbat shqiptarë, që pastaj ato t’i përdorë për t’i sulmuar shqiponjat.

Këtë më së miri e bëri dikur moti me PDSH’në, e cila në Tetovë e lidhi flamurin kombëtarë të fitores së vet me atë të kësaj partie dhe kryetarin e së cilës kongresistët e VMRO-DPMNE’së zyrtarisht e shpallën ‘Vojvod’ maqedonas.

E që të mos ndodh që ‘Alternativa’ e sotme të bëhet edhe më keq seç ishte PDSH’ja e kohëve vmroiste, shqiptarët duhet ta dinë se kur sorra të ndalet mbi shpinë, duhet t’i hapësh krahët e të ngjitesh lart e më lart në kaltërsitë qiellore. Që ajo të trulloset e të përplase në balten e ligësisë së vet. (Kim Mehmeti)

Mgid