Vetëm një kandidat deri më tani ka aplikuar në njoftimin e ri të shpallur në fillim të muajit nga Komisioni i ri për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtar në Strasburg. Ky komision u formua pasi tre kandidatët e propozuar më herët nga përbërja e mëparshme nuk u miratuan nga qeveria.

Konkursi i ri, i cili mbetet pothuajse identik me kriteret e mëparshme, parasheh që kandidati të ketë shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, moral të lartë, përvojë të paktën 12-vjeçare në profesionin juridik, si dhe përvojë konkrete në fushën e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, kandidati duhet të jetë më i ri se 65 vjeç, të ketë aftësi për të mbajtur pozita të larta gjyqësore ose të jetë ekspert ligjor me reputacion të njohur. Një kusht i rëndësishëm është njohja e gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës – të zotërojë në mënyrë aktive (niveli C) njërën prej tyre (anglisht ose frëngjisht) dhe të paktën pasivisht (niveli A) gjuhën tjetër.

Procesi i përzgjedhjes do të vazhdojë në javët në vijim, ndërsa pritet që numri i kandidatëve të rritet para mbylljes së konkursit.

Mgid