Fondacioni Metamorfoza dhe Koalicioni Rural i prezantuan gjetjet nga Vlerësimi i Qeverisjes së Mirë në Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut i përgatitur përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2025 në forumin tematik “Komuna e Hapur – Komuniteti Aktiv”. Vlerësimi është një analizë e thelluar e punës së vetëqeverisjes lokale, dhe ofron një përmbledhje të performancës së përgjithshme të vetëqeverisjes lokale me një udhërrëfyes rekomandimesh për përmirësimin e situatës. Hulumtimi u krye nga 1 shkurti deri më 30 prill 2025.
Krahasuar me vitin 2024 (37%), në vitin 2025, hapja mesatare arriti në 40%, që është një rritje prej 3%. Edhe pse përpjekjet e disa komunave për të rritur hapjen e tyre janë të dukshme, kjo përqindje prapëseprapë tregon nivel të ulët të hapjes në punën e pushtetit lokal në Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2025, gjetjet e Indeksit të Hapjes treguan se njësitë më të hapura të vetëqeverisjes lokale janë Kriva Pallanka (71%), Berova (69%), Demir Hisari (68%), Koçani (66%), Manastiri, Dellçeva dhe Karposhi (63%), Vallandova (62%), Bogdanci, Velesi dhe Kërçova (58%), Gazi Baba dhe Gjevgjelia (57%), Prilepi (56%), Vasileva (5%) dhe kundrejt më të mbyllurave, midis të cilave janë Demir Kapia (8%), Sopishteja (10%), Llozova dhe Studeniçani (13%), Krivogashtani dhe Çuçer Sandeva (16%), Vrapçishti dhe Rosomani (17%) dhe Shuto Orizari (19%).
Ashtu si në vitin 2024, edhe në vitin 2025 njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë rezultatin mesatar më të lartë në fushën e transparencës (49%), ndërsa vlerësim mesatar më të ulët në fushën e vetëdijesimit (24%). Progresi më i madh vihet re në fushat e transparencës, vetëdijesimit dhe integritetit, ku ka një rritje prej 3% për secilën. Edhe pse vërehet një përmirësim prej 2%, ky rezultat i dobët në fushën e vetëdijesimit (24%) tregon përsëri për cilësinë e dobët të planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave që zbatohen nga vetëqeverisjet lokale.
Përfundimi i përgjithshëm nga Indeksi i Hapjes është se hapja mesatare e njësive të vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut është rritur nga 37% në 40%, por niveli vazhdon të mbetet i ulët. Vetëqeverisjet lokale i arrijnë rezultatet më të mira në fushën e transparencës (49%), ndërsa më të dobëta i kanë në fushën e vetëdijesimit (24%), gjë që tregon dobësi serioze në planifikimin, programimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave lokale. Shkalla e hapjes nuk varet nga madhësia e vetëqeverisjeve lokale, por nga përkushtimi dhe iniciativa e administratës lokale, me ç’rast vetëqeverisjet lokale që kanë mbështetje mentoriale dhe vullnet të mirë arrijnë rezultate dukshëm më të mira. Edhe pse ka shembuj pozitivë, siç është miratimi i procedurave të brendshme për hapje ose transparenca e përmirësuar financiare, një pjesë e madhe e njësive të vetëqeverisjes lokale kufizohen në përmbushjen e detyrimeve minimale ligjore. Të shpeshta janë problemet me funksionalitetin e pamjaftueshëm të faqeve të internetit, mosekzistimi ose mospërditësimi i përmbajtjeve në të gjitha gjuhët zyrtare, publikimi i rrallë i dokumenteve në format të hapur dhe mungesa e të dhënave mbi ndërmarrjet publike (komunale) dhe shpërndarjen e fondeve publike. Progresi është i dukshëm, por nevojitet një qasje sistemore, edukim i vazhdueshëm i administratës dhe partneritet më i madh me qytetarët për të arritur një transparencë të vërtetë dhe qeverisje të mirë në nivel lokal.
Gjithashtu, është e nevojshme që në afat të shkurtër njësitë e vetëqeverisjes lokale të:
të vendosin procedura të brendshme për publikimin në kohë të të gjitha informacioneve që lidhen me ushtrimin e kompetencave të tyre, të cilat gjithashtu do të mbështesin edhe publikimin e sa më shumë të dhënave të jetë e mundur në format të hapur;
të publikojnë në mënyrë proaktive të gjitha informacionet që rrjedhin nga puna e tyre, puna e kryetarit/es të/së komunës, këshillave komunalë dhe trupave të tyre punuese dhe komisioneve, si dhe ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe programet vjetore, raportet, buxhetet, furnizimet publike, të dhënat për financimin e projekteve, punësimet, rrogat e funksionarëve, kompensimet e këshilltarëve, etj.;
të krijojnë dhe publikojnë dokumente strategjike dhe programore të vetëqeverisjes lokale, të cilat përmbajnë qëllime dhe rezultate të përcaktuara qartë, me implikime buxhetore dhe tregues për matjen e rezultateve.
të planifikojnë paraprakisht dhe t’i bëjnë të parashikueshme proceset e hartimit të politikave duke publikuar planet vjetore për konsultime në faqet e internetit. Komunikimi në kohë dhe efektiv është çelësi për një kontribut thelbësor nga palët e interesuara. Nevojitet publikim i rregullt i thirrjeve për konsultime publike, debate publike, si dhe raporte të hollësishme me komente dhe përgjigje pas konsultimeve.
Indeksi i vlerëson performancat e vetëqeverisjes lokale në fushën e qeverisjes së mirë përmes katër parimeve:
(1) transparenca i referohet politikave, aktiviteteve dhe masave që NJVL-ja i ndërmerr për t’i informuar qytetarët e saj për punën e saj,
(2) vetëdijesimi i referohet cilësisë së planifikimit, programimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave që zbatohen nga autoritetet lokale,
(3) qasshmëria i referohet mënyrës se si vetëqeverisja lokale komunikon dhe i përfshin qytetarët kur përgjigjet ndaj kërkesave të tyre dhe kur i përmbush nevojat e tyre,
(4) integriteti shqyrtohet në funksion të respektimit konsekuent të vlerave, parimeve dhe normave etike që synojnë t’i japin përparësi interesit publik mbi atë privat.
Në të njëjtën kohë, në të katër parimet analizohet një fushë e përbashkët – të dhënat e hapura.
Më shumë detaje mbi analizën dhe gjetjet nga Indeksi i Hapjes së vetëqeverisjes lokale mund të gjenden në bashkëngjitjet: Shtojcën 1, dhe analizën e plotë që janë të disponueshme nëpërmjet linkut të mëposhtëm: https://metamorphosis.org.mk/sq/izdanija_arhiva/vleresimi-i-qeverisjes-se-mire-ne-njesite-e-veteqeverisjes-lokale-ne-republiken-e-maqedonise-se-veriut-permes-indesksit-te-hapjes-matja-per-vitin-2025/ .