Në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, më 22 shtator 2025, u zhvillua takimi përmbyllës i delegacionit të Universitetit të Illinois-it Verior nga SHBA dhe stafit akademik të kryesuar nga dekani i kësaj njësie, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Në këtë takim u theksua se, vizita e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut përkatësisht në Universitetin e Tetovës, shënoi një hap të ri drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor mes dy institucioneve të arsimit të lartë.
Palët vlerësuan se agjenda e vizitës, prej 16 – 22 shtator 2025, u realizua me sukses, duke përfshirë zhvillimin e punëtorive në Universitetin e Tetovës, takimin me drejtuesit e këtij institucioni, vizitën në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, në Këndin Amerikan në Tetovë, në Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës, si dhe në monumentet kulturore si Xhamia e Larme dhe Kodra e Diellit.
Gjatë kësaj vizite, ekipet e të dy universiteteve diskutuan për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e hulumtimeve dhe projekteve shkencore me interes të ndërsjellë.
Të dyja palët u pajtuan që në të ardhmen të fokusohen në këto prioritete: zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta shkencore në fushat e edukimit dhe pedagogjisë; organizimin e konferencave ndërkombëtare shkencore me pjesëmarrje të gjerë akademikësh nga vende të ndryshme; shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, duke shfrytëzuar programet dhe bursat e ofruara nga Ambasada Amerikane në Shkup; eksplorimin e mundësive për studime të përbashkëta të ciklit të dytë (master), përmes harmonizimit të kurrikulave dhe standardeve akademike.
Bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Illinois-it Verior u vlerësua si një urë e re që jo vetëm do t’i fuqizojë kapacitetet hulumtuese dhe shkencore të Fakultetit Pedagogjik, por gjithashtu do të kontribuojë në ndërkombëtarizimin e tij.
Ky bashkëpunim do të vijojë me një vizitë zyrtare që pritet të realizohet gjatë vitit 2026, kur delegacioni i Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit Pedagogjik do ta vizitojë Universitetin e Illinois-it Verior në SHBA, me qëllim konkretizimin e projekteve të përbashkëta. Ky partneritet pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe në afirmimin e Universitetit të Tetovës në arenën akademike ndërkombëtare.

Mgid