VLEN: BDI për pushtet, gati ta shesë Strugën tek Levica, por më 19 tetor Qyra do ta çlirojë me votën e qytetarëve

Skandali më i fundit që po qarkullon në terren dhe në opinion është dëshmi e gjallë se BDI ka humbur çdo lloj orientimi politik. Marrëveshja e errët që është kurdisur mes të dërguarit të Ahmetit, Krenar Llogës kreut të Levicës, Dimitar Apasiev, me të përfshirë edhe sekretaren e tij të përgjithshme, Jovana Mojsovska, nuk është gjë tjetër veçse një tradhti e rëndë ndaj struganëve.
Skenari është i qartë: Mojsovska futet si kandidate “surprizë” në Strugë, me mision të mbledhë votat e bllokut maqedonas gjoja për të parandaluar fitoren që në rrethin e parë të kandidatit që mbështetet nga VLEN, Mendi Qyrës. Ky është një plan i turpshëm, i orkestruar nga Lloga dhe BDI, që bashkëpunojnë hapur me forca politike që e kanë ngritur karrierën e tyre mbi albanofobi.
Kjo është prova më e fortë se BDI është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm e vetëm për të mbetur relevant në skenë. Për ta, pushteti është më i rëndësishëm se dinjiteti i shqiptarëve, pazaret e errëta me albanofobët vlejnë më shumë se e ardhmja e struganëve.
VLEN e denoncon me forcë këtë plan të pistë dhe i bën thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e skenarëve të orkestruar nëpër korridore të errëta. Pyetja është e thjeshtë dhe mbetet pa përgjigje: për çka u morën vesh Krenar Lloga dhe Apasievi? Për ta shitur Strugën? Për të ndalur ndryshimin? Për të mbajtur gjallë një pushtet të kalbur me korrupsion e krim që ka mbisunduar në Strugë këto 20 vite?
Por një gjë është e sigurt: pavarësisht pazareve të errëta, pavarësisht marrëveshjeve të fshehta e të turpshme, Mendi Qyra do të ngadhënjejë në Strugë më 19 tetor. Vullneti i qytetarëve nuk blihet, nuk frikësohet dhe nuk ndalet nga marrëveshje të fëlliqura politike.