Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën Mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutua situata politike aktuale dhe hapat e mëtejmë institucionalë. Pika qendrore e mbledhjes ishte propozimi i Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re, e njohur tashmë si Qeveria Kurti 3.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca bëri prezantimin zyrtar të kandidaturës së Kurtit para Këshillit, duke theksuar legjitimitetin dhe nevojën për formimin e institucioneve të reja.

“Ne kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë. E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni ta propozoj për kryeministër kryetarin e LVV-së, Albin Kurti”, u shpreh Konjufca.

Pas propozimit, Këshilli i Përgjithshëm votoi njëzëri pro kandidaturës së Kurtit, duke e bërë atë zyrtarisht propozimin e vetëm dhe të përbashkët të VV-së për postin e kryeministrit.

“Me votë unanime, kryeministri Kurti është propozimi jonë edhe njëherë për qeverinë Kurti 3”, theksoi Nagavci, pas përfundimit të votimit.

Pas përfundimit të votimit nga Këshilli, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të ndërmarrë veprimet sipas procedurës kushtetuese për mandatarin e Qeverisë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës nenit 95 paragrafi i 2, thuhet se kandidati për kryeministër,jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet tutje se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Mgid