Shkruan: Florim Zeqa, 25.09.2025
Qytetarë të Republikës së Kosovës, siq e keni vërejtur deri më tani, me shkrimet e mia nuk jam duke e favorizuar dhe as kundërshtuar asnjërin nga kandidatët për kryetar komune, me qëllim që të mos influencojë në votën tuaj të lirë. Mirëpo si shtatas i Kosovës do ta zhfrytëzoj të drejtën qytetare për të votuar kandidatin e preferuar për kryetar dhe asambleist të komunës sime.
Balotazhi përcaktues për shumë komuna
E kam vendosur të përcjellë me qetësi fushatën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, që i bie, do të jem me të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk do të mbështes asnjërin subjekt politik, i mbështes të gjithë kandidatët e rinj për Asamble të komunave të të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës
Elektorati duhet t’i votoj për kryetarë komune ata kandidatë që e vlerëson që i përmbushin dhe i mbajnë premtimet elektorale e jo gënjeshtarët dhe hipokritët.
Kryetarët aktualë me përformancë të dobët do të ndëshkohen që në raundin e parë të zgjedhjeve, kurse kandidatët e rinj e kanë rastin që përmes gabimeve të tyre të arrijnë në krye të komunave.
Do të jenë fare pak komuna, të cilat do të kenë fatin të zgjedhin kryetarin e ri në raundin e parë. Që i bie se, në raundin e dytë apo të ashtuquajturin balo(sh)tazh do të përballen shumica e komunave të Kosovës.
E quajta baloshtazh për faktin se në raundin e dytë do të kemi përmbysje të rezultateve në shumë komuna si produkt i koalicioneve dhe marrëveshjeve ndërpartiake.
Paqe e dashuri vëllazërore mes elektoratit kosovar
Në këtë fushatë të zgjedhjeve lokale i bëjë thirrje elektoratit kosovar që të tregojë maturi dhe pjekuri politike. Në asnjë rrethanë, të mos bie pre e matrapazëve politikë, por të gjykojnë me gjakftohtësi të gjitha situatat dhe prapaskenat e liderëve partiakë.
Votoni ata kandidatë apo kandidate për asamble komunale që e vlerësoni që punojnë për të mirën tuja dhe përmbushin premtimet elektorale.
Qytetar të respektuar të Republikës së Kosovës, bashkombas të dashur, përcaktohuni vetëm për kandidatët që mund të sjellin ndryshimin në komunën e tuaj.
Vëllezër dhe motra, ju ftoj, që gjatë fushatës zgjedhore, përveç pjekurisë politike për vendimmarrje të drejtë më 12 tetor 2025, të dëshmoni paqe e dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin.
Pavarësisht prejardhjes partiake, të gjithë kandidatët/kandidatet janë vëllezër e motra tonat, nga të cilët presim që nesër t’na sjellin ndryshim dhe mirëqenie qytetare në komunat tona.
Bashkatdhetarë të nderuar, elektorat i çmuar kosovar, forca e ndryshimit është në dorën e tuaj, në votën tuaj të lirë dhe sovrane.
Andaj, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim mos ua shitni votën matrapazëve politikë.
Injoroni dhe denonconi në polici, prokurori dhe gjykata të gjithë ata që ua kërkojnë votën në këmbim të parave të pista. Me bërjen publike të emrave të matrapazëve politikë do të fillojë epoka e ndryshimit të madh në politikën kosovare.
Një Asamble e fortë e bën kryetarin më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve! Andaj zgjedhni asambleistët më të mirë për një qeverisje ndryshe në komunën tuaj.
Zoti e bekoftë votën e lirë të elektoratit kosovar më 12 tetor 2025.