Kryetari i Alenacës për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela ka folur në Euronews Albania lidhur me incidentet që janë krijuar në Maqedoninë e Veriut me shqiptarët, ku si duket tashmë është rikthyer përplasja e fortë mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Sela iu referua dhe një rasti konkret ndaj një të riu në Maqedoninë e Veriut, që nuk ishte shtetas shqiptar por mbante bluzë me simbole shqiptare, dhe u kanos për t’ia hequr bluzën. Sela u ndal në dy fakte shqetësuese lidhur me këto incidente.

“Po rikthehen skenare që ne i kemi parë vite të tëra. Po ushqehen me nacionalizëm antishqiptarë maqedonasit dhe sigurisht provokohen edhe incidente të tilla. Skandaloze është fakti se këto incidente u shoqëruan me deklarim publik nga ana e atyre që e bënë incidentin duke cituar se kshu do sillen me këdo që mban ndonjë bluzë apo shenja të flamurit tonë kombëtar.

Më shqetësues është fakti se Prokuroria nuk merr asnjë masë për t’iu treguar vendin këtyre njerëzve që godasin të drejtat dhe liritë themelore, këta shkelin Kushtetutën dhe ligjin e Maqedonisë së Veriut. Kur nuk vepron Prokuroria, jep mesazhin që të vazhdojnë këto incidente”, tha ai.

Zijadin Sela u ndal edhe në çështjet politike të Maqedonisë së Veriut nga ku priten dhe zgjedhjet lokale. Sela shpjegon se është e nevojshme një referendum me qëllimin për të legjitimuar politikat e qeverisë që janë bërë kundër shqiptarëve.

“Referendum për të legjitimuar politikat e qeverisë të bëra këtë vit, politika drejtuar kundër shqiptarëve dhe një referendum ku shqiptarët do duhet me votë të dënojnë atë që ka ndodhur këtë periudhë. Të japin mesazhin se përfaqësuesit e tyre politikë i zgjedhin vetë ata. Duhet rivendosur një baraspeshë ndërmjet faktorit poltik shqiptar dhe maqedonas për një të ardhme të sigurtë, krah për krah me Shqipërinë, drejt anëtarësimit në BE”, përfundoi Zijadin Sela.

Mgid