79-vjeçari nga Velesi, i pari në Maqedoni që do të vuajë dënimin me arrest shtëpiak me byzylyk elektronik

Një 79-vjeçar nga Velesi është personi i parë në Maqedoni që është dënuar me arrest shtëpiak, dhe së shpejti do të jetë i pari që do ta vuajë dënimin me byzylyk elektronik në këmbë.
Informacionin e kanë konfirmuar nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve për “Fokus”, pasi u pyetën nëse ka nisur përdorimi i byzylykëve elektronikë.
“Vendimi i parë për arrest shtëpiak është sjellë nga Gjykata e Velesit. Bëhet fjalë për një 79-vjeçar i cili është dënuar me 3 muaj arrest shtëpiak. Ai kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, por kërkesa është refuzuar. Pas përgatitjes së programit individual nga shërbimi i provës, do të vendoset pajisja për mbikëqyrje elektronike”, sqarojnë nga Drejtoria e Sanksioneve.
Banori nga Velesi është dënuar për vepër penale të parashikuar në nenin 190-a, paragrafi 2 i Kodit Penal – ngacmim seksual.
Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, në maj të këtij viti paralajmëroi se do të vihet në funksion përdorimi i byzylykëve elektronikë, me qëllim që të ulet mbipopullimi në burgjet e vendit.
Sipas tij, tre kategori të të dënuarve mund të përfitojnë këtë masë: personat e moshuar dhe të sëmurë rëndë, gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë të vegjël, si dhe personat me aftësi të kufizuara.
Në rast se i dënuari largohet nga perimetri i përcaktuar ose tenton të manipulojë pajisjen, byzylyku jep sinjal të kuq, Drejtoria kontakton të dënuarin ose një person të afërt, dhe nëse nuk përgjigjen, njoftohet policia.
Pandov shtoi se një i dënuar i kushton shtetit mbi 2.000 denarë në ditë, ndërsa sistemi i ri do të ndihmojë në uljen e kostos dhe të mbipopullimit në burgje.