Nga tubimi i Aleancës Kombëtare për Integrim në Studeniçan, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lëshoi një alarm të fortë politik, duke akuzuar qeverinë aktuale për tentativë të rrezikshme për të abroguar ligjin për gjuhën shqipe dhe për të minuar bazat e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka garantuar paqen dhe barazinë ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
“Kanë filluar ta heqin gjuhën shqipe nga përdorimi në gati të gjitha digasteret e qeverisë. Kanë hequr balancuesin dhe mekanizmat që kontrollojnë zbatimin e ligjit për gjuhën shqipe. Kjo nuk është vetëm shkelje ligjore – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Ahmeti, njofton TS.
Sipas tij, gjuha shqipe, balancuesi dhe demokracia konsensuale janë tri shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar paqja dhe bashkëjetesa në vend, dhe çdo tentativë për t’i zhbërë këto është sulm ndaj vetë integritetit të shtetit.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është kompromis politik, është marrëveshje shtetformuese mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kush e prek atë, prek themelet e shtetit”, paralajmëroi ai.
Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor të votojnë në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe barazisë, për të ndalur, siç tha ai, procesin e rrezikshëm të zbehjes së të drejtave të shqiptarëve në institucionet shtetërore./TS