Lideri Ali Ahmeti, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm dhe të ngarkuar me simbolikë kombëtare në tubimin e sotëm të organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Saraj.
Duke iu drejtuar kundërshtarëve politikë, Ahmeti theksoi se nuk ka ndërmend të merret me oponentët, të cilët i cilësoi si të vegjël për kauzën kombëtare dhe sfidat që qëndrojnë përpara shqiptarëve.
“Fjalimi juaj më bëri përshtypje dhe më dha një vlerësim ‘shkencor’ që nuk ka të bëjë me vlerat, por me lënien e tyre pas dore. Zakonisht nuk është në natyrën time të merrem me oponentët, sepse për mua ata janë shumë të vegjël, edhe për ju, edhe për këtë kauzë,” u shpreh Ahmeti, njofton TS.
Ai theksoi diferencat thelbësore mes vetes dhe kundërshtarëve të tij politikë.
“Si do që të krahasohemi, jemi të pakrahasueshëm. Qoftë në fushën e shkencës, qoftë në atë të veprimtarisë kombëtare, apo edhe në atë ushtarake, merre nga të duash, këtu qëndron vlera kombëtare.”, theksoi Ali Ahmeti.
Duke përmbyllur fjalimin e tij, lideri i BDI-së dha një mesazh të qartë uniteti:
“Ne nuk kemi dalë për të përçarë shqiptarët, por për t’u dalë zot!”
Tubimi në Saraj vjen në një moment kyç të fushatës, ku Aleanca Kombëtare për Integrim po përpiqet të konsolidojë mbështetjen e saj në këtë komunë strategjike, me përkrahje të fuqishme nga figura të njohura politike dhe kombëtare./TS