Aleanca për Shqiptarët i drejtohet VLEN-it dhe Burim Latifit: Mjaft me lojën e dyfishtë në kurriz të interesave kombëtare

Aleanca për Shqiptarët rithekson se denoncimi i kontratave të lidhura nga drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, nuk është pjesë e ndonjë fushate apo politike ditore, por shpreh një shqetësim të vërtetë dhe të bazuar për përfshirjen e interesave të Serbisë dhe regjimit të Aleksandar Vuçiqit në sektorin strategjik të energjetikës së Maqedonisë së Veriut, çka cenon drejtpërdrejt interesat kombëtare dhe sigurinë energjetike të vendit.
Nëse drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, me të vërtetë kërkon hetim, atëherë ai duhet të kërkojë jo vetëm nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por edhe nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare, që të hetojnë të gjitha tenderët e hapur dhe të mbyllur që nga dita kur ai është emëruar në krye të MEPSO-s.
Vetëm kështu mund të dëshmohet vullneti i sinqertë për transparencë dhe llogaridhënie.
Aleanca për Shqiptarët e konsideron shqetësuese sjelljen e drejtorit të MEPSO-s, i cili në vend se t’u japë përgjigje qytetarëve për mënyrën e përzgjedhjes së kompanive në tenderë publik, mundohet t’i shmanget përgjegjësisë me lojë fjalësh dhe përmendje të memorandumeve të bashkëpunimit me Kosovën dhe Shqipërinë.
Z. Latifi duhet të sqarojë publikisht me çfarë kriteresh është përzgjedhur kompania nga Beogradi,
“IMP-Telekomunikacije DOO Beograd”, për kontratën e nënshkruar më 27 gusht 2025, me objekt furnizimin e pajisjeve për telembrojtje në linjën 400 kV Shkup–Vranjë.
Kjo kompani, e cila nuk është e regjistruar si tatimpaguese në Maqedoninë e Veriut dhe nuk ka përfaqësi në vendin tonë, ka fituar tender publik në rrethana që ngrejnë dyshime serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e të gjithë procesit.
Në vend që të ndjekë shembullin e përgjegjshmërisë institucionale, drejtori Latifi po ndjek shembullin e kushëririt të tij, Izet Mexhiti, duke e ndjekur retorikën e mashtrimeve që edhe Mickoski i shfrytëzon ndaj qytetarëve.
Shqiptarët nuk gënjehen më me premtime boshe që përdoren për të mbuluar keqpërdorimet.
Aleanca për Shqiptarët e fton opinionin publik, mediat dhe institucionet të kërkojnë transparencë të plotë për çdo kontratë që prek interesat strategjike të shtetit dhe të qytetarëve të tij.