Lideri Ali Ahmeti, ka dhënë një deklaratë të fuqishme drejtuar elektoratit shqiptar, duke i bërë thirrje për bashkim dhe rikthim te vlerat kombëtare.

Gjatë një paraqitjeje publike mbrëmë në Saraj, Ahmeti theksoi se, ndonëse ndihen të zhgënjyer nga rezultati dhe veprimet e përfaqësuesve të tanishëm politikë, ai nuk i sheh si armiq ata që votuan për koalicionin VLEN.

“Na kanë turpëruar, tanët na kanë turpëruar,dhe kjo është e keqja më e madhe. Por ne nuk kemi punë me individët, ne kemi punë me elektoratin. Ata që votuan për VLEN nuk janë armiqtë tanë, janë vëllezërit tanë. Ata votuan për ndryshim, jo për poshtërim,” tha Ahmeti, njofton TS.

Sipas tij, qytetarët që besuan në ndryshim dhe sot ndihen të tradhtuar, duhet të gjejnë vendin e tyre në një projekt të ri politik me bazë kombëtare dhe qëndrim të qartë ndaj interesit shqiptar.

“Kjo porosi le t’i shkojë çdo shqiptari, ne nuk i përjashtojmë ata që votuan për VLEN. Ata e kanë vendin në frontin kombëtar, në Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI). Unë dua që secili shqiptar të jetojë me dinjitet, në tokën e vet, bashkë,” u shpreh lideri Ali Ahmeti.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku shumë qytetarë kanë shprehur zhgënjimin e tyre me zhvillimet e fundit dhe mënyrën si po trajtohen çështjet kombëtare./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com