Aleanca Kombëtare për Integrim sonte zhvilloi tubim në komunën e Studeniçanit, ku lideri Ali Ahmeti, foli për rolin kyç të shqiptarëve në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit.Në fjalimin e tij, Ahmeti u shpreh kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe theksoi lidhjen e thellë të komunitetit shqiptar me tokën e tyre.
“Dalin publikisht dhe thonë: ‘Ai që do gjuhë zyrtare shqipe, le të shkojë në Shqipëri apo Kosovë’. Jo! Sepse neve nuk na kanë lindur prindërit atje. Këtu kemi lindur. Këtu i kemi varret. Këtu u kemi dalë zot historisë tonë”, theksoi Ali Ahmeti, njofton TS.
Ai vuri në dukje se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në rajon dhe kanë kaluar kohët e errëta të periudhave të Millosheviqit dhe të tjerëve.
“Shqiptarët janë 8 milion dhe janë pjesë aktive e arsimit dhe zhvillimit evropian. Të gjithë së bashku do të jemi në NATO, dhe do të jetojmë pa kufij, ky është misioni ynë”, tha Ahmeti.
Ali Ahmeti gjithashtu nënvizoi vizionin për një Maqedoni të barabartë, ku të gjithë popujt të kenë të drejta të plota dhe ku Ballkani të jetë një zonë paqësore, me progres ekonomik dhe stabilitet.
Tubimi në Studeniçan u organizua në kuadër të fushatës së Aleancës Kombëtare për integrim dhe bashkëpunim, me qëllim përforcimin e bashkëjetesës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel lokal dhe kombëtar./TS