Ali Ahmeti nga Gostivari: Në pranverë shkojmë patjetër në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare (VIDEO)

Në një tubim të madh qytetar të mbajtur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Gostivarit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, lideri Ali Ahmeti, bëri thirrje për unitet kombëtar, mobilizim elektoral dhe reflektim të thellë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, njofton TS.
“Proceset duhet t’i çojmë përpara. Ne jemi për paqe, për stabilitet, për Europë, për një Ballkan pa kufij. Popujt duhet të jetojnë të lirë. Ne nuk duam të na përsëritet e kaluara, sepse e kaluara është e dhimbshme”, u shpreh Ahmeti, duke nënvizuar rëndësinë e paqes dhe progresit rajonal.
Në fjalimin e tij, ai theksoi nevojën për unitet politik dhe zgjuarsi strategjike përballë sfidave që, sipas tij, rrezikojnë arritjet kombëtare të dekadave të fundit.
Ahmeti u ndal veçanërisht në rolin që duhet të luajë vota e qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se “mobilizimi me votë kombëtare është detyrë”. Ai shtoi se duhet ndjekur një politikë konstruktive, e cila respekton interesin e qytetarëve dhe integritetin e shtetit.
“Zoti Taravari, në pranverë, detyrimisht shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të zhvillohen në frymën e legjitimitetit dhe të krenarisë kombëtare”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se zgjedhjet lokale më 19 tetor, nuk do të jenë thjesht lokale, por kombëtare.
“Organizohuni, mobilizohuni në çdo lagje, në çdo cep!” ishte thirrja drejtuar qytetarëve dhe strukturave të Aleancës Kombëtare për Integrim.
Në fund të fjalimit, Ali Ahmeti falënderoi të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët e kësaj aleance, duke uruar sukses për të gjithë ata që janë në shërbim të çështjes kombëtare dhe integrimit europian të vendit./TS