Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ku po merr pjesë në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, u prit në një takim të ngrohtë e vëllazëror nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe për rolet e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjor.
Kryetari Ahmeti e përgëzoi Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.
“Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, u shpreh Ahmeti.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt.