Ambasadori Meidani: Shteti i së drejtës dhe Marrëveshja e Ohrit janë themeli i stabilitetit demokratik

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim me Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe Krenar Loga, ish-ministër i Drejtësisë, ku u diskutua mbi çështje të rëndësishme që lidhen me sundimin e ligjit dhe zhvillimet demokratike në vend.
Në qendër të bisedës ishte zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, funksionimi i shtetit të së drejtës dhe rëndësia e ruajtjes së bashkëjetesës ndëretnike si themel i stabilitetit demokratik dhe shoqërisë funksionale, njofton TS.
“Në një moment kyç për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut, vlera e këtyre parimeve mbetet thelbësore për ndërtimin e një shteti të drejtë, gjithëpërfshirës dhe me institucione të qëndrueshme,” – u shpreh ambasadori Meidani.
Ai theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut, barazia para ligjit dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare si Marrëveshja e Ohrit janë faktorë kyç në rrugën e integrimit europian dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe reflektimi institucional, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ka dialogu konstruktiv në përparimin e proceseve demokratike në rajon.
“Shteti i së drejtës është themeli mbi të cilin ngrihet çdo shoqëri demokratike,” – theksoi ambasadori Meidani./TS\