Anëtarja e Këshillit Gjyqësor akuzohet për mashtrim – përfitoi mbi 290 mijë denarë nga shpenzimet e udhëtimit

Kallëzim penal kundër anëtarës së Këshillit Gjyqësor për kryerjen e veprës penale “mashtrim në detyrë”
Më 15.09.2025, Njësia për korrupsion pranë Sektorit për hetime kriminale në Drejtorinë për parandalimin e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe Departamenti për polici kriminale, dorëzuan në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kallëzim penal kundër L.G. (57) nga Strumica, për kryerjen e veprës penale “mashtrim në detyrë”, neni 355 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 2 të Kodit Penal.
E kallëzuara L.G., si zyrtare – anëtare e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga 26.08.2022 deri më 15.01.2024, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal, duke mos deklaruar faktin se kishte ndryshime në gjendjen e pasurisë së anëtarëve të familjes së ngushtë, nuk njoftoi në kohë kryetarin e Këshillit Gjyqësor se nuk do të përdorte shpenzimet për udhëtim nga Strumica, si vendbanim, deri në Shkup, si vend i kryerjes së detyrës, dhe anasjelltas. Me këtë, ajo e mashtroi Këshillin Gjyqësor që t’i paguante kompensim për shpenzimet e transportit sipas pikës 4 të Vendimit për mënyrën e realizimit të të drejtave të gjyqtarëve, të përcaktuara në Ligjin për pagat e gjyqtarëve nr. 02-1425/12 nga 13.10.2010, i miratuar nga Këshilli Budhetor Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e nenit 8 të Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.
Saktësisht, e kallëzuara L.G., në cilësinë e gjyqtares nga Gjykata Themelore Strumicë në vitin 2018, u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor, nga radhët e gjyqtarëve të rajonit të apelit Shtip. Sipas nenit 8 të Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, anëtari i këshillit ka të drejtë për kompensim të shpenzimeve të transportit në vlerën e shpenzimeve reale për transport publik. Në përputhje me këtë, L.G. dorëzoi kërkesën e saj, bashkë me kopje të kartës së identitetit, vendimin për zgjedhjen si gjyqtare dhe një deklaratë të noterizuar që ajo ose anëtarët e ngushtë të familjes së saj nuk kanë banesë ose shtëpi në vendin ku kryen funksionin.
Në vitin 2022, L.G. pati një ndryshim në gjendjen e pasurisë, respektivisht vajza e saj fitoi një pronë të paluajtshme – një apartament në Shkup, por L.G. nuk e njoftoi në kohë kryetarin e Këshillit Gjyqësor. Për këtë arsye, Këshilli Gjyqësor i ka paguar asaj nga shtatori 2022 (muaji pas fitimit të pronës) deri në dhjetor 2023 (kur u ndërpre e drejta për kompensim të shpenzimeve të transportit pas njoftimit të dorëzuar më 15.01.2024), në gjithsej 15 raste, një shumë prej 291.040 denarësh, për të cilën L.G. përfitoi kundërligjshëm, duke shkaktuar dëme për buxhetin e Këshillit Gjyqësor të RMV-së.