Arben Taravari: Maqedonia po largohet nga rruga evropiane – raporti i BE-së është më i keqi në 15 vitet e fundit
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale, por edhe për sfidat politike dhe nacionale me të cilat përballet vendi. Ai theksoi se, përveç temave lokale, fushata zgjedhore është dominuar nga shqetësimet për stagnimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Kandidatët tanë për kryetarë komunash kanë pasur programet e tyre zgjedhore dhe zotohen t’i realizojnë të gjitha premtimet e dhëna përpara qytetarëve, por ne si liderë politikë e kemi për obligim të trajtojmë edhe tema nacionale.
Zgjedhjet ishin administrative, por u diskutua edhe për tema nacionale. Ishte e pashmangshme të mos diskutohet humbja e rrugës së kësaj qeverie drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë gjithë fushatës, ky ka qenë edhe fjalori kryesor që e kam përdorur unë personalisht, por edhe partnerët e koalicionit në Aleancën Kombëtare.
Seriozisht jemi të brengosur, pasi që shohim se në të gjitha zhvillimet rajonale dhe strategjike, është e rëndësishme që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bashkërisht të përfundojnë bisedimet dhe të bëhen anëtare të plotfuqishme të BE-së deri në vitin 2030.
Në qoftë se e lexoni raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, do ta shihni që raporti është zhgënjyes dhe është më i keqi që e kemi marrë në 15 vitet e fundit.
Aty përmendet edhe ndikimi i ‘Botës Serbe’ në qeverisjen e Maqedonisë, dhe këtu nuk mendoj për partitë shqiptare, por për partitë maqedonase që udhëheqin me qeverinë – dhe kjo vërtetë është shumë, shumë shqetësuese.
Maqedonia nuk duhet ta humbasë hapin me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por është e domosdoshme realizimi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave me BE-në. Për fat të keq, jo vetëm që nuk ka gatishmëri, por ne në fakt po largohemi nga rruga evropiane.”
Taravari theksoi se prioriteti strategjik i Aleancës Kombëtare mbetet rikthimi i fokusit të vendit në integrimin evropian, si proces që garanton stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.