Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar zhvillimet politike në rajon pas zgjedhjeve në Kosovë dhe sfidat e formimit të qeverisë së re. Ai tha se është i bindur se Kosova do të mbetet shembull i stabilitetit dhe i respektimit të institucioneve demokratike.

“Në Prishtinë nuk mendoj se mund të ketë shqetësime, pavarësisht se si do të rrjedh puna e formimit të qeverisë, apo se kush e bën qeverinë.

Shqiptarët çdoherë kanë ditur t’i tejkalojnë situatat e vështira. Sidomos në Kosovë, më befason pozitivisht demokracia dhe respektimi i institucioneve shtetërore, kështu që nuk mendoj se do të ketë ndonjë shqetësim apo ndonjë rëmujë, pavarësisht se kush do ta krijojë qeverinë e ardhshme.

Për mua më shqetësuese janë zhvillimet që ndodhin në Serbi dhe reflektimi i tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje.

Mendoj që Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama duhet të luajnë rolin e një stabilizuesi rajonal dhe amortizues mes shqiptarëve, si edhe të një sinkronizuesi mes tyre.”

Taravari theksoi se stabiliteti i rajonit varet nga bashkërendimi politik dhe institucional i faktorit shqiptar, ndërsa roli i Shqipërisë mbetet vendimtar për ruajtjen e paqes dhe orientimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com